Sulmet e fundit mëngjesin e kësaj të hëne në Lindjen e Mesme rritën menjëherë çmimin e naftës, duke kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi për naftën Brent të Londrës, që shërben si pikë reference për çmimin e këtij produkti në tregjet ndërkombëtare. Kjo rritje pritet të ketë sërish ndikim edhe në Shqipëri.
“Nëse periudha e çmimeve të larta do të vazhdojë për një kohë të gjatë, pa diskutim që do të përbëjë një kërcënim për stabilitetin e çmimeve jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Mund të kemi një skenar të ngjashëm me luftën Rusi-Ukrainë, kur fuçia e naftës arriti në rreth 110 dollarë”, thotë Selami Xhepa, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa nafta po rritet, pothuajse çdo produkt apo shërbim në Shqipëri ndjek të njëjtën trajektore, duke rënduar buxhetet familjare. Nëse konfliktet në Lindjen e Mesme do të vazhdojnë të përshkallëzohen, ekonomia mund të përballet me një skenar të ngjashëm me atë të disa viteve më parë, kur inflacioni në vend arriti rreth 8% gjatë luftës Rusi-Ukrainë.
“Në rast se kjo situatë do të jetë e përkohshme, ndikimi mund të jetë i kufizuar. Por nëse tensionet zgjasin, mund të kemi rritje të ndjeshme të inflacionit. Për disa mallra të caktuara, efektet mund të jenë shumë më të larta, madje edhe 20-25% për mallrat ë caktuar. Shpresojmë që ky skenar të mos materializohet dhe shumë do të varet nga zhvillimet në rajon dhe nga tensionet në ngushticën e Hormuzit”, shton Xhepa.
Në mbledhjen e ardhshme të Bankës së Shqipërisë pritet që një nga temat kryesore të diskutimit të jetë pikërisht ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në inflacion dhe politikat që mund të ndërmerren për ta përballuar atë.
“Departamenti përkatës i politikës monetare po i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit dhe besoj se në mbledhjen e ardhshme do të kemi një diskutim më të thelluar për skenarët e mundshëm. Ekonomia jonë i ka përballuar edhe më parë goditje të ngjashme, ndaj është krijuar një përvojë në reagimin e politikës monetare. Megjithatë, nëse inflacioni rritet, ai do të gërryejë fuqinë blerëse të qytetarëve, çka mbetet një shqetësim serioz”, thotë Xhepa.
Sipas Institutit të Statistikave, norma e inflacionit për muajin e kaluar ishte 2.5%, duke qëndruar ende brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, marsi pritet të shërbejë si një pikë e rëndësishme matjeje për ecurinë e çmimeve, pasi tensionet në Lindjen e Mesme nisën pikërisht në fillim të këtij muaji.





