Rusia ka rritur ndjeshëm retorikën dhe kërcënimet ndaj Ukrainës, duke paralajmëruar një valë të re sulmesh masive ndaj Kievit dhe duke u kërkuar vendeve perëndimore të evakuojnë diplomatët dhe shtetasit e tyre nga kryeqyteti ukrainas. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një telefonate me Marco Rubio, deklaroi se Moska do të nisë “sulme sistematike” ndaj objektivave ushtarake dhe “qendrave vendimmarrëse” në Kiev.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, gjatë një telefonate me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i kërkoi Uashingtonit të evakuojë ambasadën amerikane në Kiev. Paralelisht, Ministria e Jashtme ruse u bëri thirrje të gjithë të huajve që të largohen “sa më shpejt të jetë e mundur” nga kryeqyteti ukrainas.
Moska njoftoi nisjen e një “fushate sistematike sulmesh” ndaj qendrave vendimmarrëse, komandave ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes në Kiev, duke akuzuar NATO-n për mbështetje direkte në operacionet me dronë të Ukrainës kundër territorit rus.
Kërcënimet vijnë vetëm 36 orë pas një prej sulmeve më të mëdha ruse ndaj Ukrainës, ku u përdorën 90 raketa dhe rreth 600 dronë, të drejtuar kryesisht ndaj Kievit. Në sulm u përdor edhe raketa hipersonike “Oreshnik”, e projektuar për të mbajtur disa koka luftarake dhe konsideruar shumë e vështirë për t’u interceptuar nga sistemet ajrore mbrojtëse.
Sipas raportimeve, një prej raketave goditi zonën e Bila Tserkvas, rreth 90 kilometra në jug të Kievit, ndërsa tani ekziston frika se sulmet e ardhshme mund të synojnë qendrën e kryeqytetit, ku ndodhen institucionet shtetërore dhe selitë diplomatike.
Ndërkohë, Ukraina vazhdon të godasë objektiva strategjike brenda Rusisë me dronë me rreze të gjatë veprimi, duke dëmtuar rafineri nafte dhe objekte ushtarake deri në 1 mijë e 700 kilometra larg kufirit.
Autoritetet ukrainase po ashtu kanë intensifikuar kundërsulmet në rajonin e Zaporizhzhias, ku raportohen avancime në disa zona të pushtuara më parë nga forcat ruse.
Situata mbetet tejet e tensionuar, ndërsa analistët paralajmërojnë se Kremlini mund të përgatitet për një ofensivë edhe më të gjerë në javët në vijim, potencialisht edhe nga territori i Bjellorusisë.
/vizionplus.tv





