Rritet fluksi në pikat kufitare, doganat shqiptare punojnë me maksimumin e sporteleve
Kjo e mërkurë ka shënuar dhe numrin më të madh të emigrantëve që kthehen në shtëpi, pas festimeve në vendlindje. Sipas të dhënave nga kjo e mërkurë e në vijim pikat e kalimit kufitar do të jenë më të ngarkuara.
Vetëm në Kapshticë në 48 orë te fundit kanë dalë rreth 10 mijë shtetas drejt Greqisë, 60 % e tyre vetëm në 24 orët e fundit. Për të shmangur pritjet dhe radhët e gjata pala shqiptare po punon në kufi me 6 sportele, 4 në dalje dhe 2 në hyrje, duke i alternuar në varësi të situatave. Të dhënat flasin se vetëm në 10-ditshin e fundit të muajit dhjetorë kanë hyrë nga kjo pikë doganore 55 mijë shtetas, të cilët pritet të dalin këto ditë.
Situata është e ngjashme edhe në portin më të madh në vend në Durrës.
Nga mbrëmja e të mërkurës pritet të shtohen edhe linjat e tragetit në drejtim të shteti fqinj, Italisë, konkretisht Barit dhe Ankonës, për shkak të numrit të lartë të pasagjerëve.
Të dhënat nga kapiteneria bëjnë të ditur se në ditët e para të këtij janari janë larguar nga porti rreth 2800 emigrantë, ndërsa në total kanë hyrë nga kjo pikë kalimi në muajin dhjetor rreth 75 mijë qytetarë./vizionplus.tv




