Një ditë pas kritikave të zëvendëspresidentit të SHBA-ve, JD Vance, ndaj liderëve evropianë për qasjen e tyre ndaj demokracisë ka reaguar kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Gjermania është një demokraci shumë e fortë, dhe si një demokraci e tillë, ne jemi të qartë se ekstremi i djathtë duhet të qëndrojë jashtë kontrollit politik dhe proceseve të marrjes së vendimeve, dhe se nuk do të ketë bashkëpunim me ta”, u shpreh Scholz.
Ndërsa Vance ishte në mbështetje të partisë së ekstremit të djathtë Scholz theksoi se nuk do të lejoj askënd që të ndërhyjë në zgjedhjet e vendit të tij.
“Ne nuk do të pranojmë që të huajt të ndërhyjnë në demokracinë tonë, në zgjedhjet tona dhe në procesin e formimit të opinionit demokratik në favor të kësaj partie, veçanërisht jo miqtë dhe aleatët. Ne e refuzojmë me vendosmëri këtë. Ne do ta përcaktojmë vetë të ardhmen e demokracisë sonë”, dekalroi Scholz.
Komentet e Scholz vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Brukselit janë në një fazë të tensionuar, me ndryshime të rëndësishme në politikën amerikane ndaj Evropës dhe Ukrainës.
Kritikat e Zëvendës presidentit të SHBA-ve ndaj qëndrimit të qeverive evropiane kundër partive të së djathtës ekstreme habitën shumë pjesëmarrës, pasi ai pretendoi se Evropa po braktis “vlerat e përbashkëta demokratike.
Pas fjalimit të tij, Vance u takua në Mynih me bashkë-kryetaren e AfD-së, Alice Ëeidel, duke shprehur mbështetje vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare të Gjermanisë, të cilat mbahen më 23 shkurt. Kjo është konsideruar si një shkelje të normave diplomatike.
Ndërkohë në konferencën e Mynihut ka folur edhe sekretari i përgjithshëm i NATOS Mark Rutte i cili i dha të drejtë presidentit të SHBA-ve Donald Trump për rritjen e shpenzimeve te mbrojtjes.
“Thjesht nuk është e drejtë nëse vendet evropiane të NATO-s paguajnë më pak për mbrojtjen e tyre kolektive sesa SHBA-ja po paguan për këtë, sepse SHBA-të do të donin gjithashtu të ulnin taksat ose të shpenzonin më shumë për arsimin ose çfarëdo që dëshironi t’i shpenzoni. Procesi i ri i NATO-s për të vlerësuar se cilat boshllëqe në aftësitë e mbrojtjes duhet të plotësohen do t’ju çojë në një numër që është shumë, shumë më tepër se 2%”, me objektivat e rinj që do të përcaktohen brenda muajve”, tha Rutte.
Ndërkohë Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se ka ardhur koha që të krijohet një ushtri evropiane.
“Vetëm ushtria jonë nuk mjafton, ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj. Dhe ne kemi nevojë për atë që ju mund të ofroni. Armët. Trajnimi. Sanksionet. Financimi. Presioni politik. Dhe unitetin. Unë me të vërtetë besoj se ka ardhur koha – forcat e armatosura të Evropës duhet të krijohen. Le të jemi të sinqertë, tani nuk mund të përjashtojmë që Amerika mund t’i thotë jo Evropës për çështje që mund ta kërcënojnë atë”, u shpreh presidenti ukrainas.
Zelenksin u tha gjithashtu udhëheqësve europiane se nuk do te heqe dore nga anëtarësimi i Ukrainës në NATO.





