Nazlie Kasa është nëna e një vajze, sot 21 vjeç, e cila që në moshën 3-vjeçare u diagnostikua me çrregullimin e spektrit të autizmit. Sikur të mos mjaftonte kjo sfidë, disa vite më vonë vajzës iu shfaq edhe sëmundja e epilepsisë.
“Vajza është 21 vjece dhe e morrëm vesh në moshën 3 vjecare. Vuan edhe nga epilepsia. Në moshën 3 vjecare i filluan krizat. bashkëshorti ndërroj jetë vajza ishte 7 vjec, i ra një infarkt. Çuni ka filluar punë, nuk kemi ndihmë nga askush”, tha Kasa.
Në një rrëfim për Vizion Plus, nëna e Enxhi Kasës tregon se prej shumë vitesh përballet me vështirësi të mëdha. Ajo kujton se kur vajza ishte 7 vjeç, bashkëshorti i saj ndërroi jetë si pasojë e një infarkti kardiak. Mes dhimbjes, ajo shprehet se nuk mungojnë as paragjykimet nga shoqëria.
“Bashkëshorti ndërroj jetë, vajza ishte 7 vjec, i ra infarkt. Nuk na pranojnë të gjithë, të gjithë njerëzit nuk na kuptojnë, vec ai që ka këtë problem. Kjo është vështirësi shumë e madhe, dhe kemi nevojë për cdo gjë”, shtoi ajo.
Nazlie Kasa, 51 vjeç, përballet e vetme me këto sfida, e papunë dhe në një situatë të vështirë prej vitesh. Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, ajo u drejton një apel të gjithë prindërve për më shumë mirëkuptim dhe mbështetje.
“Unë nuk punoj, jam pa punë, me ato që marrim nga të ardhurat nga kempi i gocës. Të dyja bashkë marrim 300 mijë lekë të vjetra. Duhet të jemi 24 më 24 sepse mund ta kapin krizat kudo, mund të bie kudo. Nuk punojmë dot, kam punuar 7 vite para se të lindje goca dhe e ndërpreva. Duhet të kenë kurajo ta përballojnë, të jenë të forta”, tha Nazlie Kasa.
Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor që lidhet me ndryshimet ne trurin fëmijës. Si në botë, ashtu edhe në Shqipëri, rastet e autizmit tek fëmijët janë në rritje./vizionplus.tv





