Presidenti serb Aleksandër Vuçiç këmbëngul se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të rinisin sa më shpjet. Sipas tij nëse palët nuk rikthehen në tryezën e dialogut konflikti i ngrirë mes dy vendeve mund të bëhet i rrezikshëm.

 

 

“Një konflikt i ngrirë do të thotë të presësh që dikush të nxjerrë i pari shpatën, nuk do të doja që bijtë e mi të shkojnë në luftë. Nuk duhet të na hyjë gjaku në trurin tonë, duhet të jemi realistë, njerëzit duhet të dinë se cilat janë të gjitha rreziqet e një konflikti të ngrirë. Shqiptarët nuk janë në thelb të gatshëm për një zgjidhje kompromisi. Të gjithë duan, veçanërisht shqiptarët, humbjen e Serbisë. Ne vijmë për bisedime, dhe ata na kërkojnë t’u paguajmë dëmet e luftës”, tha Vuçiç.

 

Vuçiç paralajmëroi Kosovën se nëse vijon përpjekjet për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare duhet të përgatitet për surpriza të mëdha, por nuk zbuloi se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

 

“Nëse Kosova përpiqet të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, befasitë e shumta do ta presin atë. Ata e dinë që unë nuk po gënjej. Unë nuk jam vetëm duke iu drejtuar atyre, por edhe mentorëve të tyre. Dhe unë them se ata do të kenë shumë surpriza, jo një ose dy.”

 

Kjo është hera e dytë që presidenti i Serbisë flet për rrezikun e konfliktit të ngrirë mes dy vendeve. Deklarata e tij e parë shkaktoi reagime të forta dhe Prishtina e akuzoi kreun e shtetit serb për kërcënime për luftë. Por më pas Aleksandër Vuçiç u detyrua të tërhiqet duke thënë se deklarata e tij ishte keqkuptuar dhe nxjerrë qëllimisht nga konteksti.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *