Pas arrestimit një ditë më parë, një nga autorët e dyshuar të vrasjes së 23 vjeçarit Renis Dobra nga Burreli, Petrit Çakrri ka dhënë dëshminë e tij të parë para hetuesve.
Ai pranon se në kohën e ngjarjes ka qenë në zonën e Matit, por sipas tij nuk kishte dijeni se do të rrëmbehej njeri.
“Unë nuk e njihja personalisht viktimën dhe nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. E mora vesh pastaj se çfarë kishte ndodhur. Kristi Bushgjokajn e kam njohur në burg, ndërsa vëllezërit e tij i kam njohur më pas. Atë ditë kemi dalë për të siguruar një sasi droge nëpër fshatra. Rrugës jemi ndarë në dy makina. Vëllezërit Bushgjokaj hipën në një makinë tjetër dhe mua më kërkuan që të largohem. Nuk e di çfarë ka ndodhur më pas”, tha Çakrri.
I arrestuari tjetër për ngjarjen, Fation Bushgjokaj ka dhënë pak detaje para grupit hetimor teksa mësohet se ka pranuar njohjen me 23-vjeçarin Renis Dobra në Gjermani dhe se kanë bërë punë të paligjshme atje, por pa dhënë detaje rreth konfliktit mes tyre.
Të shpallur në kërkim për këtë ngjarje janë edhe dy vëllezërit Kristi e Aleksandër Bushgjokaj, të cilët dyshohet se janë larguar drejt Kosovës të ndihmuar nga vëllai i katërt i tyre.
Mbrëmjen e 8 Korrikut, Renis Dobra u rrëmbye pak metra larg banesës së tij në fshatin Zenisht të Matit. Dyshohet se tre vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri e dhunuan barbarisht dhe e hodhën bashkë me automjetin e tij në liqenin e Shkopetit, por trupi i pajetë mbeti pak metra larg ujit./vizionplus.tv





