E hënë, 23 Nëntor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sport

Roma – Lazio në duel për Muçin/ Ertugrul bën lëvizjen e tij, a do jetë janari ‘bileta vajtje’ drejt kryeqytetit italian?

Ernest Muçi po kthehet në një nga emrat më të përfolur në prag të merkatos së janarit. Paraqitjet e mira me fanellën e Trabzonsporit kanë tërhequr vëmendjen e dy gjigantëve italianë, Romës dhe Lazios, të cilat po shqyrtojnë mundësinë për të siguruar shërbimet e futbollistit shqiptar.

Interesi nga Italia duket se ka vënë në lëvizje drejtuesit e klubit turk. Sipas raportimeve të mediave në Turqi, konkretisht “Super Haber”, presidenti Ertugrul Dogan nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga Muçi. Përkundrazi, drejtuesi i Trabzonsporit e konsideron shqiptarin një element shumë të rëndësishëm për skuadrën dhe nuk dëshiron largimin e tij në mesin e sezonit.

Qëndrimi i klubit turk është i qartë edhe sa i përket aspektit financiar. Trabzonspor kërkon të paktën 22 milionë euro për kartonin e futbollistit shqiptar, një shifër që tregon se sa shumë e vlerësojnë kontributin e tij në skuadër.

Një nga arsyet kryesore që Trabzonspor kërkon ta mbajë Muçin lidhet me ndikimin e tij në fushën e lojës. Numrat flasin në favor të shqiptarit, i cili ka regjistruar nëntë kontribute në gola dhe asiste në kampionatin turk, duke u kthyer në një nga lojtarët e rëndësishëm të ekipit.

Reklamë

Megjithatë, merkatoja e janarit mund të sjellë zhvillime të reja. Roma dhe Lazio janë dy klubet që po ndjekin situatën, ndërsa një përballje mes rivalëve kryeqytetas italianë për firmën e Muçit nuk përjashtohet.

Për momentin, Trabzonspor qëndron në pozita të forta dhe nuk dëshiron të negociojë largimin e tij. Mbetet për t’u parë nëse klubet italiane do të jenë të gatshme të plotësojnë kërkesat financiare të turqve për të rikthyer Ernest Muçin në futbollin italian.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.