E ardhmja e sulmit të Juventus është shqiptar, Armand Durmisi protagonist me gol në fundjavë

Një tjetër fundjavë pozitive për talentin shqiptar Arman Durmisi, i cili vazhdon të tregojë vlerat e tij me fanellën e Juventus Next Gen. Sulmuesi shqiptar ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, këtë herë në fitoren 3-1 ndaj Giana Erminios.
Durmisi ishte protagonist në këtë sukses, duke realizuar golin e tretë të bardhezinjve në minutën e 82-të. Pas një pasimi të shkëlqyer nga Turco, talenti shqiptar bëri një lëvizje të bukur për të shmangur kundërshtarin dhe me një goditje të fuqishme dërgoi topin nën traversë.
Një realizim me shumë klas, që vulosi fitoren e Juventusit në transfertë dhe konfirmoi edhe një herë potencialin e sulmuesit shqiptar.
18-vjeçari po kalon një sezon interesant me Juventus Next Gen, ku po fiton gjithnjë e më shumë eksperiencë në futbollin profesionist. Sipas statistikave të sezonit, ai ka regjistruar tashmë katër gola në kampionat.
Durmisi është gjithashtu pjesë e përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, duke qenë një emër që meriton vëmendje të veçantë për të ardhmen e futbollit kuqezi.
Juventusi vazhdon t’i besojë talentëve të rinj dhe Arman Durmisi është një prej emrave që po përpiqet të fitojë hapësirën e tij në projektin bardhezi.




