Në pritje të nisjes së rivlerësimit të pronave nga janari, shoqatat e pasurive të paluajtshme kërkojnë që fushata të zgjasë më shumë se 1 vit.
“Afati të jetë shumë më i gjatë. Një pjesë e pronarëve aktualë janë emigrantë, sa kohë do të kenë për ta përthithur këtë gjë”, tha Reinaldo Pipiria, shoqata “Narea”.
Një kërkesë e përsëritur për tregun imobiliar është që norma tatimore prej 15% për transaksionet të rishikohet në ulje, me qëllim që të mos priten vazhdimisht fushatat e rivlerësimit.
“Besojmë që skema e tatimit mbi fitimin kapital ka shkaktuar ngërçe dhe deformime, që shkojnë në informalitet. Vëmë re që sa herë që ka pasur një tatim të korrigjuar, kemi vënë re që tregu ka qenë duke performuar më mirë, por janë arkëtuar më shumë para në arkën e shtetit. Në momentin e parë që mbaron fushata e rivlerësimit, tregu ka deformimet e veta, ngërçe. Në pamje të parë duket sikur tregu është duke performuar. Nuk duhet të jetë 15% sa është tani. Jemi gati të ndihmojmë të ngremë një grup pune në janar 2026, për të parë të gjithë legjislacionin që ka lidhje me strehimin dhe mënyrën si tatohen transaksionet e pasurive të paluajtshme”, shtoi Pipiria.
Propozime për paketën fiskale në Komisionin e Ekonomisë bëri edhe Shoqata e Bankave, e cila shprehur rezerva për tavanin e vendosur për transaksione me para fizike që mund të kryejnë individët.
“Masat e ndërmarra nuk shkojnë në këtë drejtim. Për herë të parë vendoset një tavan edhe për individët, por trajtimi i individit dhe biznesit nuk gjejmë dot asnjë argument pse është bërë kështu. Për biznesin ulet nga 150 në 100 mijë lekë. Është pozitive. Por vendosja për individët e një tavani 500 mijë lekë është jashtë çdo analize, jashtë çdo përvoje. Unë mendova mos është 50 mijë lekë. 500 mijë lekë nuk mund të jetë. Paga mesatare është 80-90 mijë lekë”, deklaroi Spiro Brumbulli, sekretar, Shoqata e Bankave të Shqipërisë.
Edhe Shoqata e Blegtorëve shtroi një sërë kërkesash për sektorin, mes të cilave faturim direkt të mallit nga fermeri dhe jo përmes autofaturimit, rimbursim të drejtpërdrejt për çdo njësi prodhimi apo edhe deklarimi në etiketat e produkteve blegtorale në rastet kur ato vijnë nga importi./vizionplus.tv





