Shkolla “Myslym Keta” në Kombinat është rindërtuar pas dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në bashkëpunim me BE dhe UNDP-në. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në përurimin e ambienteve të reja, theksoi se ky projekt i shërben të gjithë komunitetit.
“Unë them që kemi treguar që punojmë në skuadër. Autoritetet vendore, qendrore, BE dhe PNUD-i dhe të gjithë bashkë me komunitetin e prindërve të nxënësve dhe mësuesve kemi krijuar vërtetë një oaz. Unë besoj se shkollat janë vërtetë qendrat e gravitetit moral të një shoqërie. Nuk kemi ndërtuar vetëm një godinë. Kemi ndërtuar një komunitet. Kështu që shpresoj ta gëzoni, të na nderoni,” thaVeliaj.
Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, e cilësoi këtë projekt si një shembull të shkëlqyer të partneritetit midis Shqipërisë dhe Unionit.
“BE-ja ka investuar 75 milionë euro në grante pas tërmetit në Shqipëri. Fakti që ne po ndërtojmë 65 shkolla, duke prekur jetët e 25 mijë nxënësve në Shqipëri dhe qindra mësuesve, të cilët gjejnë këtu një vend për të dhënë mësim, si edhe një motiv të mirë për të qëndruar në Shqipëri, për të cilën mendoj që është investimi më i mirë që BE-ja mund të bëjë”, deklaroi Hubert Perr.
Rindërtimi i shkollës “Myslym Keta” është një hap i rëndësishëm për nxënësit dhe për zhvillimin e komunitetit, duke rritur gjithashtu vlerën e pronës në zonë. /vizionplus.tv





