6 vite pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës, me qindra banorë që janë future tashmë në apartamentet e reja, nuk kanë marrë ende certifikatat e pronësisë së banesave të tyre. E vetmja përgjigje që japin autoritetet lokale për këtë problem, është se ai do të zgjidhet paralelisht me procesin e rindërtimit që po shkon drejt përfundimit.
Në këto kushte, të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti që disponojnë banesën e re, nuk kanë asnjë afat konkret se kur do të pajisen me dokumentin e pronësisë.
Hartimi i certifikatave ka mbetur peng i moskoordinimit mes autoritete për të përshpejtuar procesin, duke bërë që pritja e banorëve për të hyrë apo për të gëzuar plotësisht apartamentet e reja, të jetë e tejzgjatur.
Kryebashkiakja Emiriana Sako thotë se rreth 200 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019 kanë marrë çelësat e shtëpive të reja në lagjen e Spitallës, ku me fondet e Emirateve të Bashkuara Arabe u ndërtuan 996 apartamente.
Sipas kryebashkiakes, procesi i ndarjes së banesave që nisi në muajin shtator vijon dhe të tjera familje do të vazhdojnë të futen në shtëpitë e reja.
“Lajmi i mirë është që jemi në proces mendojmë që do përfundojmë shpejt me dorëzimin e çelësave dhe mendojmë që lagjja e re do jetëzohet shumë shpejt. 200 familje kanë tërhequr çelësat tashmë”, tha Sako.
Por megjithëse kanë kaluar 6 vjet, ende ka pallate dhe banesa që nuk I janë nënshtruar rikonstruksionit. Në lagjen 5 të qytetit disa banorë shprehen të shqetësuar në lidhje me gjendjen që është krijuar pas dëmtimeve të tërmetit.
Ndërkohë, i vetmi gjimnaz që ende nuk ka nisur së rindërtuari në Durrës, për shkak të gjetjeve mjaft të rëndësishme arkeologjike që u evidentuan nga arkeologët gjatë gërmimeve është ende në fazën e realizimit të projektit. Sipas Sakos, shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” do të jetë i vetmi institucion arsimor në rajon që do të bashkëjetojë me një monument kulture.
“Ajo ka pas një problem kompleks ne gjetëm një mozaik aty. Jemi duke përfunduar projektin për të bërë të mundur që të ndërtojmë aty ku duhet dhe pjesa tjetër do jetë muze i hapur”, shtoi Sako.
Gjatë këtyre 6 viteve procesi i rindërtimit me shkollat, kopshtet, çerdhet, ka ecur falë programit “EU4 Schools”, po ashtu edhe fondeve nga buxheti i shtetit./vizionplus.tv





