Familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit në Kombinat do t’i marrin shumë shpejt 1069 apartamentet e tyre të reja, të ndërtuara nga Bashkia e Tiranës.
“Këtu po ndërtojmë një super kompleks, një super lagje e ndarë në seksione të ndryshme. Para disa ditësh ishim te seksioni 5, 6, ndërsa ky është seksioni 7. Në total janë 1069 apartamente, të cilat do të gëzojnë 1069 familje, për të nisur një jetë të re në hapësira e kushte më të mira”, u shpreh krybashkiaku.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se banesat e reja janë shumë herë më cilësore se ato që ua dëmtoi tërmeti.
“Kalojmë nga shtëpitë parafabrikate, të ndërtuara me mjete rrethanore dhe punë vullnetare, në shtëpi të reja, me hapësira të përbashkëta, me ashensor, me kate përdhese për shërbime, parkingje etj. Pritja do t’ia vlejë!” , tha Veliaj.
Sipas Veliajt ky projekt do të zgjidhë problematikën e vjetër të kanalizimeve të mbartura që nga koha e ish-komunave. /vizionplus.tv





