Subscribe

Në ambicien e radhës të qeverisë për ta rilindur industrinë e prodhimit të armëve, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi foli për interesim të kompanive të huaja për të investuar në ish-kombinatin mekanik të Poliçanit, të Gramshit dhe uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit.

I pari i mbrojtjes deklaroi se interesimi për të ringjallur këtë industri dhe për të cilën kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria e 2030-ës do të eksportojë edhe pajisje ushtarake “Made in Albania”, është serioz.

Dhe në ketë, ndihmën e vet ka dhënë edhe një raport i detajuar që Ministria e Mbrojtjes bashkë me agjencinë e prokurimeve të NATO-s bëri një vit më parë mbi gjendjen e dy kombinateve dhe një uzine që dikur prodhonin armatime dhe municione. Sot “Poliçani” është mbyllur ndërsa në Mjekës dhe Gramsh kryhen vetëm demontime.

“Shqipëria është nga vendet e pakta në rajon që nuk e ka të zhvilluar këtë industri. Ka nevojë për investime dhe investitorë nuk mund të zhvillohen nga ndërmarrje shtetërore. Jemi të hapur në pritje të ofertave dhe interesimeve nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtare dhe kombëtarë. Kemi pasur interes për industrinë tonë ushtarake, investitorë të huaj, kanë parë potencialin e tyre”, tha Peleshi.

Deri në konkretizimin e premtimit të qeverisë për rifutjen në punë të industrisë së prodhimit të armëve dhe municioneve, punonjësit e ish-kombinatit mekanik të Poliçanit do të marrin pagat e prapambetura bashkë me sigurimet shoqërore.

Nga fondi prej 83 milionë lekësh përfitojnë 120 punonjës të cilëve ndërmarrja u mbeti borxh pasi ajo u mbyll./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *