Partia Demokratike, përmes Sekretarit për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata shprehet se kryeministri Edi Rama ka shkelur premtimin për lojërat e fatit.
Sipas tij, ai ka miratuar në fshehtësi një VKM që i hapë rrugë biznesit të lojërave të fatit në kryeqytet, duke shtuar se po kërkon të përdorë dhe pastrojë paratë e krimit nëpërmjet kazinove dhe lojërave të fatit.
Demokrati shkruan se edhe më parë, kreu i qeverisë premtoi se do t’i mbyllte lojërat e fatit në 2016, po në prag të zgjedhjeve të 2017 i shtyu ato me argumentin se “nuk i bindte dot deputetët e tij”.
“Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur këtë javë në Shqipëri. Nën panikun e humbjes së thellë që e pret, Edi Rama shkelur me të dyja këmbët një premtim që ju bëri shqiptarëve se nuk do të lejonte që lojërat e fatit të shkatërronin mijëra familje dhe jetë njerëzish.Pse ky është një biznes i pisët i Edi Ramës? Ja ku i keni faktet që shqetësimi i Edi Ramës nuk janë familjet shqiptare, por paratë që i duhen në ortakëri me krimin: Gjatë qeverisjes së tij, nga 920 pika të lojërave të fatit ato u katërfishuan në 4200. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në dy vjet, 2014 -2016, buxhetit të shtetit ju vodhën 375 milionë euro nga evazioni i lojërave të fatit. Dhe ja ku e nxori përsëri kokën. Akoma pa u tharë boja e vendimit për mbylljen e lojërave të fatit, ai i rihap ato, duke u tallur me dramën e atyre mijëra familjeve të cilat i mashtroi me premtimin e thyer se do ti jepte fund një plage të madhe sociale.”
Për Gjatën, tani e kanë të gjithë të qartë se ortakëria e Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e pista është shumë më e fortë se çdo premtim që iu ka bërë qytetarëve.
“Kjo prerje në besë e atyre mijëra familjeve para të cilave u zotua, ky vendim kriminal duhet të hetohet menjëherë nga SPAK-u si rasti tipik i kapjes së shtetit. Faktet sic i dëgjuat dhe i patë vetë me zë dhe me figurë, flasin vetë.”