Reshjet e dëborës janë rikthyer në zonat malore të juglindjes së vendit, duke përfshirë fshatrat turistikë dhe disa akse kryesore rrugore, ndërsa strukturat e mirëmbajtjes ndodhen në terren për të garantuar qarkullimin normal.
Sipas të dhënave zyrtare,rreshje dëbore jane regjistruar në zonat turistike të Dardhës dhe Voskopojës, si edhe në territorin e Kolonjës dhe zonën e Mokrës, përfshirë aksin Qukës–Qafë Plloçë.
Në disa zona raportohen edhe probleme të herëpashershme me energjinë elektrike për shkak të kushteve atmosferike.
Sipas informacionit të përditësuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar – Drejtoria Qendër Lindje, reshjet e dëborës kanë nisur në segmentet Libonik–Rëmbec–Plasë dhe në aksin Korçë–Voskopojë, ku po kryhen pastrim dhe kriposje, ndërsa qarkullimi vijon normalisht me përdorimin e gomave dimërore.
Në aksin Maliq–Kufi Gramsh, reshjet e shiut gjatë natës kanë sjellë dalje të dy përrenjve me inerte në rrugë, ndërsa grupet e punës po vijojnë ndërhyrjet për pastrimin e plotë të segmentit. Reshje dëbore janë regjistruar edhe në aksin Ersekë–Tre Urat, pa ndikuar në qarkullim.
Në akset Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras reshjet paraqiten me intensitet të ulët dhe mesatar, ndërsa grupet e mirëmbajtjes po punojnë pa raportime për vështirësi.
Ndërkohë, në segmentin Kirce-Boboshticë–Dardhë po operojnë dy mjete borëpastruese dhe rekomandohet qarkullimi vetëm me goma dimërore. Autoritetet bëjnë të ditur se të gjitha akset rrugore mbeten të hapura, ndërsa strukturat janë në gatishmëri të plotë.
Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe të pajisin automjetet me goma dimërore, veçanërisht në zonat turistike dhe akset malore.





