Subscribe

Prej dy ditësh ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell gjendet në Tiranë. Të parin takoi kryeministrin Edi Rama, ditën e diel. Takimi i cili u mbajt i fshehtë nga zyra e shtypit e Kryeministrisë u zbulua nga vetë Richard Grenell përmes një postimi në rrjetet e tij sociale.

 

Në foton e shkrepur në krah të Edi Ramës, në mjediset e Kryeministrisë, ai shkruan “Rrëfime ngjarjesh gjatë një dreke këtë të diel me mikun dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në Tiranën aq të nxehtë.”

 

As nga postimi i ish-të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe as nga Kryeministria nuk është thënë zyrtarisht arsyeja e kësaj vizite dhe çfarë është diskutuar mes Edi Ramës dhe Richard Grenell.

 

Pas takimit me kreun e qeverisë, në ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, Richard Grenell është pritur edhe nga presidenti Ilir Meta. Në ndryshim nga Kryeministria, Presidenca njoftoi në rrjetet sociale takimin, ku kreu i shtetit shkruan se mbështet përpjekjet e tij për të reklamuar investimet amerikane në Shqipëri dhe bashkëpunimin ekonomik në rajonin e Ballkanit.

 

Nga takimi me Ilir Metën, para se Grenell të vizitojë edhe jugun e Shqipërisë, nga kreu i shtetit mori si dhuratë librin “Albania from the Air”, “Shqipëria nga ajri”.

 

Vizita e Richard Grenell në Tiranë, vjen pas asaj në Beograd. Në një postim në rrjetet e tij sociale për takimin mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç, kryeministrit Edi Rama dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në Shkup, shpreh mbështetjen e tij, për “Minishengenin Ballkanik”, tanimë të etiketuar si “Ballkani i Hapur”. Grenell shkruan se “Marrëveshja e Normalizimit Ekonomik” e negociuar nga presidenti Trump e ka nxitur bashkëpunimin rajonal në Ballkan.

 

Gjatë qëndrimit në Beograd, ku zyrtarisht nuk është njoftuar takim më kryeministren apo presidentin e Serbisë, Richard Grenell, shfaqet në një ngjarje kulturore teksa argëtohet nën ritmet e këngës së njohur italiane “Bella Ciao”.

 

Vizita e Richard Grenell vjen pak ditë pas takimit të radhës së “Minishengenit Ballkanik” në Shkup, ku tre nga vendet, Kosova, Mali i Zi e Bosnje Hercegovina refuzuan pjesëmarrjen e tyre. Marrëveshja e nënshkruar mes Ramës, Vuçiç dhe Zaev, që sipas tyre synon të zhvillojë ekonominë përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave nga Janari i 2023-it, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nisma e “Novi Sadit”, siç e quan ai nuk do të ketë miratimin e Kosovës pasi ajo nuk i sjellë asnjë të mirë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *