Rënia e interesit të maturantëve për disa prej degëve si Kimi, Fizikë, Matematikë apo Biologji, ka sjellë që Fakulteti i Shkencave të Natyrës të ndërmarrë një reformim të programeve të studimit, në përpjekje për t’u përshtatur më mirë me tregun e punës dhe zhvillimet bashkëkohore në arsim.
“Ka filluar reformimin e tij në programet e studimit, kjo për dy arsye. Arsyeja e parë: për të qenë koherent me atë që kërkon tregu i punës dhe për të qenë i përgatitur për ndërkombëtarizimin e sistemit arsimor të lartë. Kështu që FSHN, duke filluar prej vitit të shkuar, ku erdhëm me dy programe të reja studimi: Fizikë dhe Shkenca Kompjuterike, dhe Kimi Farmaceutike, këtë vit në programet bachelor ne vijojmë me tre programe të riorganizuara: Data Science dhe Inxhinieri Informatike, Inxhinieri Kimike që do të jetë 100% i mbështetur nga biznesi shqiptar, dhe Inxhinieri dhe Kimia e Ushqimeve.”, shprehet Eglantina Kalluçi, Dekane e FSHN.
Dekania e këtij fakulteti shprehet se reagimi i studentëve ka qenë inkurajues, ndërsa interesimi i lartë dëshmon se orientimi drejt programeve me perspektivë të gjerë punësimi ka qenë një hap në drejtimin e duhur.
“Eksperienca e parë ishte viti i shkuar kur i riorganizuam, dhe fakti që maturantët shprehën interes, kjo na shtyu që të vijojmë me tre programe të reja të riorganizuara. Ne, përveçse përgatisim specialistë në disiplinat kryesore që janë Biologji, Kimi, Fizikë, Matematikë, në fund të fundit ne përgatisim edhe specialistë për fusha të tjera. Dhe kjo bëri që të riorganizojmë, me qëllim që të diplomuarit të kenë kompetenca jo vetëm në një disiplinë, por në disa.”
Në vitin akademik 2022–2023, 817 maturantë zgjodhën të studiojnë në Shkencat Natyrore, Matematikë apo Statistikë, ndërsa në vitin pasues ky numër ra me 147 studentë më pak.
Por këtë vit, sipas dekanes, parashikohet një rritje e interesit, falë ofertës së pasur dhe të orientuar drejt kërkesave të tregut.
/vizionplus.tv





