Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha duan t’i japin SPAK-ut një rol të ri në procesin e luftës kundër parregullsive në zgjedhje.

Sot në mbledhjen e grupit parlamentar, nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi ka shpjeguar parimet kryesore, për të cilat opozita do të bëjë betejë në procesin e Reformës Zgjedhore.

Këto parime janë reflektuar një dokument ku bie në sy se demokratët kërkojnë ngritjen e një task force të përhershme për zgjedhjet, e cila të drejtohet nga SPAK, në kompetencën e të cilit është edhe korrupsioni elektoral.

“PD angazhohet që, në përputhje me rekomandimin e parë prioritar të Raportit Final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit 2023, të kontribuojë për të bërë vërtet efektive ndalimet dhe sanksionet e përmbajtura në kornizën ligjore aktuale për keqpërdorimin e burimeve dhe resurseve shtetërore, shitblerjes së votës dhe keqpërdorimit të të dhënave personale, nëpërmjet adoptimit të një mekanizmi të përhershëm mbikqyrës, por të pajisur me fuqi ekzekutive, me përbërje përfaqësues të prokurorisë së posaçme, prokurorisë së përgjithshme, përfaqësues të KQZ dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, të drejtuar nga prokuroria e posaçme,” shkruhet në dokumentin e hartuar nga demokratët.

Në dokumentin që pasqyron qëndrimin e Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore bie në sy se çështja më e rëndësishme është rikthimi i koalicioneve parazgjedhore me listë te përbëre, ku secila parti garon me siglën e saj.
Gjithashtu Partia Demokratike e drejtuar ng Sali Berisha mbështet listat e hapura në përputhje me standartin e aplikuar nga shumica dërrmuese e mbi 90% të vendeve që përdorin listat e hapura.

Në raport më votën e diasporës, demokratët kërkojnë një sistem të thjeshtë për regjistrimin e shqiptarëve qe jetojnë jashtë kufijve, me qëllim shmangien e kontrollit dhe filtrave qeveritare.

Për herë të parë në një dekadë opozita ngre pikëpyetje për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje pas asaj që ndodhi në Elbasan e Kamëz me votimin e numërimin elektronik. Opozita thekson se pas fenomenit të parë në zgjedhjet e kaluara ku operatorët teknikë të KQZ votonin për qytetaret duhet analizuar i gjithë sistemi me qëllim arritjen e një vendimmarrje përfundimtare e cila di t’i japë fund fazës hibride të pilotimit të tij në disa zona, nëpërmjet shtrirjes së tij në të gjithë vendin, ose heqjes dorë përfundimisht prej këtij sistemi.

Opozita do të synojë të shfrytëzojë Reformën Zgjedhore për tu dhënë zgjidhje disa prej problematikave kryesore në zgjedhje:

1.Përfshirja e shtetit në zgjedhje, përdorimi i burimeve shtetërore dhe pushtetit normativ në favor të partisë në pushtet;

2.Shitblerja e votës dhe posaçerisht blerja e të drejtës së votës së zgjedhësit për të votuar duke i penguar të dalin në votim. Votimi i detyrueshëm siguron ushtrimin e plotë të së drejtës së votës (sipas shembujve të Greqisë, Belgjikës, Australisë).

3.Cënimi i sekretit dhe lirisë së votës, veçanërisht nëpërmjet sistemit të patronazhimit, përdorimi të të dhënave personale të mbledhura nëpërmjet institucioneve shtetërore, ushtrim i presionit para dhe gjatë ditës së votimit..vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *