Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi akuzoi opozitën jashtëparlametare se në të vërtetë nuk do që në vend të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Duke folur nga Korça në një takim me qytetarët, Patozi tha se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen vetëm nëse arrihet një marrëveshje e shpejtë mes palëve.

 

“Zgjedhje të parakohshme në Shqipëri mund të ndodhin vetëm në rast se do ketë një marrëveshje të shpejtë, një produkt të shpejtë të kësaj tryeze e mbi të gjitha, nëse opozita jashtëparlamentare e ka seriozisht kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Ne mendojmë që ajo nuk e ka seriozisht.”

 

Uljen e palëve politike në një tryezë të përbashkët Astrit Patozi e cilësoi si një lajm të mirë për shqiptarët, por edhe si një tentativë për të mbajtur “gjallë” krizën politike.

 

“Ne kemi konsideratë, ne mendojmë që ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, por nga ana tjetër jemi skeptikë sepse kemi gjithë dyshimet dhe provat që mesa kuptojmë ata janë ulur për të mos rënë dakord, të mos ketë produkt, por të ruajnë statukuonë e cila na ka çuar në këtë krizë.”

 

Kreu i BD kërkoi që përmes tavolinës për reformën zgjedhore të arrihet ndryshimi i sistemit zgjedhor. Sipas Astrit Patozit, sistemi proporcional me lista të hapura do të ishte më i mirë sesa aktuali.

 

“Gjëja e parë që duhet të bëjë ajo tryezë është të hedhë poshtë sistemin politik dhe mënyrën si organizohen zgjedhjet në Shqipëri dhe si financohen partitë dhe si administrohen partitë politike në Shqipëri. Në rast se kjo ndodh çdo gjë tjetër është më e lehtë .Ne kemi opinion tonë që një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura do ishte më i përshtshëm, por ne nuk jemi fanatikë të këtij propozimi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *