Bojkoti i Partisë Demokratike në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale nuk do të tolerohet më nga mazhoranca.
Në mbledhjen e radhës, bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku paralajmëroi se të martën gjatë seancës, të majtët do të kërkojnë ndryshime për të zhbllokuar funksionimin e komisionit dhe për të vijuar punën.
“Opozita do të ketë vendin e saj në komision. Ne kemi propozuar që bashkëkryesitë të zëvendësohen me kryetar dhe nënkryetar, si në komisionet standarde, për të krijuar një element normal parlamentar dhe për të vijuar punën”, tha Mazniku.
Sipas Maznikut, ky bojkot ka zvarritur punën për rreth një muaj prandaj dhe theksoi se për të arritur afatin e muajit korrik, anëtarët do të ndahen në tri grupe.
“Që nga muaji shkurt, komisioni do të ndahet në tre grupe të mëdha, ku secili grup do të mbulojë katër qarqe. Gjatë këtij muaji, grupet do të takojnë kryetarët e bashkive, përfaqësues të biznesit dhe të shoqërisë civile për të mbledhur informacion dhe për të përgatitur propozimet për reformën territoriale”, tha Mazniku.
PS kërkon ndryshim të numrit të anëtarëve nga 16 në 17, ku një anëtar më shumë do ta kete mazhoranca.
Komisioni sipas kërkesës nuk do të drejtohet me bashkë kryetarë, por me kryetar nga Partia Socialiste dhe një nënkryetar që do t’i përkasë PD-së.





