Reforma Territoriale, Lela: Nuk bindët as socialistët, Klosi: Mos na qani hallin

Reforma territoriale ka qenë tema e debatit këtë të enjte në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.
I ftuar në studio, Drejtori i Komunikimit në PD, Alfred Lela, në debat me Sekretarin e Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi, tha se socialistët për këtë reformë nuk u konsultuan me qytetarët.
Sipas tij, këtë e treguan protestat e vetë këshilltarëve të majtë dhe djegia e teserave.
Ndërkohë, Klosi theksoi se edhe në 2014-ën pati kundërshti, por votat për PS vetëm janë shtuar.
Pjesë nga diskutimi:
Rakipi: Cilat ishin kriteret për shkrirjen e Bashkive?
Klosi: Ajo që do të duhet të realizohet është dhe ligji i ri i financimit të bashkive. Deri në shtatorin e vitit tjetër këto të jenë me funksione më të plota. Sa i përket kritereve, ishte funksionaliteti i Bashkive, të cilat në bazë të shumë kritereve nuk arrinin të kryenin funksionet e tyre. Kishim shumë bashki që nuk kryenin funksionin.
Rakipi: Ky ishte kriteri bazë, por sikur e bëtë menjëherë, a patë konsultime, keni njerëz kundër?
Klosi: Siç ka njerëz pro, ka dhe njerëz kundër.
Lela: As njerëzit tuaj nuk i bindni, nuk bindni as Këshillat tuaj bashkiakë.
Klosi: Nuk doja ta bëja debat politik.
Lela: Ju nuk keni bindur socialistët.
Klosi: Mos i qani hallin Partisë Socialiste.
Lela: Ju shihni njerëz që digjnin teserat e PS.
Klosi: Edhe sot Berisha doli në parlament. Po përpiqet të fuste luftën ndërkrahinore.
Lela: Ju thatë që keni një vit, nuk bindët asnjërin, me kë u konsultuat. Këshillat Bashkiakë kanë votuar kundër.
Klosi: Është e vërtetë kjo që thoni ju. Nga 61 bashki që u pyetën, disa bashki kundërshtuan këtë.
Lela: Jo 61 mo, këto që shkrihen.
Klosi: Në fund të fundit, sa i përket votës dhe asaj që thonë qytetarët, kështu thatë dhe në 2014-ën, dhe që atëherë votat vetëm shtohen.
Lela: Po pse nuk thoni që ne kemi 84-ër vota. Më mirë kjo, bëjmë si të duam.
Klosi: Lideri juaj historik tha se keni protestë kombëtare, kishit 150-200 veta. Mos i qani hallin PS-së, edhe këto bashki do i marrim. Rri i qetë.
Lela: 10 nga 15-të kanë qenë këto që copëtoheshin.
Klosi: Efekte momentale ka padyshim, ka lehtësira lokale, kemi pasur diskutime të gjata.




