Red Bull Spike, një nga eventet sportive më të shumëpritura të verës, mblodhi 16 skuadra nga e gjithë Shqipëria, të cilat zbritën në fushë me një objektiv të vetëm: të shpalleshin kampione të edicionit të dytë të këtij turneu unik.
Që në fazën kualifikuese, të zhvilluar në plazhin e Durrësit, ndeshjet u karakterizuan nga rivalitet i fortë dhe nivel i lartë teknik. Kalimi nga volejbolli në sallë në volejbollin në rërë ndryshoi ndjeshëm dinamikën e lojës, duke e bërë garën më sfiduese dhe fizikisht më kërkuese për të gjithë pjesëmarrësit. Një tjetër element dallues i konceptit Red Bull Spike ishte formati 4×4, i cili vuri në provë aftësinë e lojtarëve për t’u përshtatur, bashkëpunuar dhe performuar si ekip, ndryshe nga formati tradicional 2×2 me të cilin shumica prej tyre janë të familjarizuar.
Për të dytin vit radhazi, ndeshjet u arbitruan nga gjyqtarët e Federatës Shqiptare të Volejbollit, duke garantuar standarde të larta profesionalizmi, drejtësie dhe transparence gjatë gjithë kampionatit.
Më 15 gusht, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, u zhvilluan gjysmëfinalet dhe finalja e madhe e Red Bull Spike 2026 në plazhin e Akademisë së Marinës, në Lungomare, Vlorë.
Me avancimin e turneut, niveli i lojës u rrit ndjeshëm. Tensioni, taktikat dhe emocionet shoqëruan përballjet vendimtare, ndërsa nuk munguan as surprizat.
Pas dy fundjavave konkurrim në dy prej destinacioneve kryesore turistike të Shqipërisë, kampionati kurorëzoi fituesit e këtij edicioni:
🥇Vendi i Parë shkoi per Ekipin: Bichee
🥈Vendi i Dytë | Ekipi:Eclipse
Ne vedin e Tretë u rendit Ekipi: Team Dardania
Mes 16 skuadrave pjesëmarrëse, vetëm një ekip arriti të ngrejë trofeun e Red Bull Spike 2026.
Red Bull Spike vazhdon të konsolidohet si një nga platformat më dinamike për promovimin e volejbollit në Shqipëri, duke bashkuar sportistë profesionistë, talente të reja dhe komunitetin sportdashës në një eksperiencë unike që kombinon garën, energjinë dhe frymën e verës.





