Subscribe

Astrit Patozi ka komentuar reagimet e opozitës dhe mazhorancës pas raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

 

Sipas ish-kreut të Bindjes Demokratike, vetëm në Shqipëri ndodh që të dyja palët politike të “brohorasin me të njëjtën klithmë patetike triumfi” për të njëjtin tekst të vëzhguesve ndërkombëtarë.

 

“OSBE/ODIHR-i duhet të shpikë ndonjë gjuhë të veçantë për Shqipërinë, që të mos “përkthehen” kaq pacipësisht raportet e tyre për zgjedhjet tona. Ose të mos i botojnë fare dhe t’i mbajnë vetëm për përdorim të brendshëm. Sepse vetëm tek ne ndodh që të dyja palët politike të brohorasin me të njëjtën klithmë patetike triumfi për të njëjtin tekst të vëzhguesve ndërkombëtarë. Edhe pse reagimet për raportin e 25 prillit mund të jenë një rekord më vete i kësaj tradite tashmë të konsoliduar, në Tiranë kjo nuk i bën më askujt përshtypje.  Qeveria nxori mbrëmë Taulant Ballën të thotë se ky ishte lavdërimi më i madh i të gjitha kohërave për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa Luli nuk do të ishte shprehur aq i lumtur edhe sikur tekstin e raportit ta kishte shkruar Ivi Kaso. Sepse edhe ky i fundit nuk do të kishte guxuar t’i vinte titullin “masakër zgjedhore”. Mjafton kaq për të kuptuar se sa larg me të vërtetën dhe me publikun kanë shkuar dy partitë kryesore, të cilat mbajnë në këmbë kryetarokracinë në Shqipëri, njëra në pushtet dhe tjetra në opozitë.”

 

Në reagimin e parë pas raportit të OSBE-ODIHR, lideri i opozitës, Lulzim Basha theksoi se dokumenti mbështet argumentin e opozitës se zgjedhjet ishte masakër elektorale. Ndërkohë, ana tjetër, PS, përmes Taulant Ballës theksoi se raporti konfirmoi se 25 prilli ishte shprehje kuptimplotë e demokracisë dhe e respektimit të lirisë së zgjedhësve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *