Ambasada e SHBA në Tiranë ka vënë në dukje gjetjet e raportit të ODIHR-it, për zgjedhjet lokale të mbajtura më 14 maj.
SHBA ka kërkuar nga të gjitha palët politike që të marrin seriozisht rekomandimet, ndërsa nxjerr në pah problemet e konstatuara, të cilat tjetërsojnë vullnetin e votuesve.
“Ambasada e SHBA-së mirëpret raportin e fundit të ODIHR-it nga zgjedhjet lokale të 14 majit që përshkruan fushat e progresit të vazhdueshëm si dhe mangësitë. Shtetet e Bashkuara i kërkojnë qeverisë, partive politike dhe institucioneve shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, akuza për blerje votash nga të gjitha anët, sigurimin e masave për fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit”, thuhet në reagim.
Ambasada e SHBA në Tiranë kërkon gjithashtu zbatimin e lirisë së fjalës dhe të drejtës për informim, duke nënvizuar mbështetjen e gazetarisë së pavarur.
“Raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e duhur të ligjit për të drejtën e informimit, dekriminalizimin e shpifjes dhe mbështetjen e gazetarisë së pavarur. Shtetet e Bashkuara mbështesin një angazhim për të adresuar të gjitha rekomandimet e ODIHR për të siguruar një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, përfundon reagimi.
Misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it publikoi këtë të premte raportin përfundimtar të zgjedhjeve lokale të 14 majit. OSBE-ODIHR në raport nënvizoi se u kepërdorën burimet shtetërore dhe kishte gjetje të presionit mbi punonjësit e sektorit publik.