Subscribe

Gjykata e Posaçme ka caktuar vazhdimin e masës arrest me burg të dhënë në mungesë për Ramazan Rrajën. Ai akuzohet për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ndërkohë që tashmë do të përballet edhe për akuzën e armëmbajtjes pa leje.

 

Lexo edhe :

Related Posts

Vete Rraja ka mohuar që të jetë i përfshirë në atentatin e rëndë, ndodhur më 1 nëntor të 2019 tek mbikalimi i Shkozetit.

 

Por nga ana tjetër, SPAK pretendon se Ramazan Rraja, në bashkëpunim me të akuzuarit e tjerë kanë organizuar atentatin mafioz ku mbetën të plagosur ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremi, i njohur si Rrumi i Shijakut, e ku humbi jetën shoferi Andi Maloku.

 

Për këtë ngjarje, më herët policia arrestoi 5 persona, por ata që konsiderohen si krerët e grupit kriminal janë ende të lirë. Plarent Dervishaj dhe Dritan Shkëmbi ndodhen në Dubai, ndërsa Julian Meçaj vijon të jetë në kërkim.

 

Ramazan Rraja u arrestua para pak ditësh në afërsi të Fushë-Krujës. Në momentin e prangosjes , atij iu gjet edhe një pistoletë në brez me fishek në fole gati për qitje.

Sipas policisë, 30-vjeçari nuk është larguar nga Shqipëria e gjatë kohës që ishte në kërkim fshihej në Durrës, Lezhë dhe Tiranë. Në momentin e arrestimit, ai u kap bashkë me Luis Konomin, i njohur ndryshe edhe si Elton Llozhi. Edhe ky i shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit për akuza të tjera.

 

Atentati ndaj ish-prokurorit nuk është e vetmja çështje që hetuesit e kanë lidhur me emrin e Ramazan Rrajës. Në tetor të vitit të kaluar, ai u mor në pyetje edhe për masakrën e Fushë-Krujës, ku u vra kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj si dhe dy shokët e tij. Rraja po ashtu më herët rezulton i arrestuar në Belgjikë dhe Gjermani për drogë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *