Rama takon sot Blinken: Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB, do punojë për paqen dhe drejtësinë
Takimin më të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Edi Rama do ta ketë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Në takimin që do të mbahet në Departamentin e Shtetit, në qendër të diskutimit pritet të jetë edhe situata mes Ukrainës dhe Rusisë, e ku Shqipëria është deklaruar në mbështetje të SHBA-se dhe NATO-s.
Pritja e Edi Ramës nga Antony Blinken u pri një ditë më parë nga një ceremoni e organizuar nga ambasada shqiptare në Amerikë në New York, për fillimin e mandatit dy vjeçar të vendit tonë si anëtar i Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në fjalën e tij, Abdulla Shahid, presidenti i asamblesë së OKB-së, tha se Shqipëria edhe pse një vend i vogël do të ketë rolin e saj në çështjet që do të diskutohen në Këshillin e Sigurimit.
ABDULLAH SHAHID
PRESIDENT I ASAMBLESE SE PERGJITHSHME, OKB
Si dikush që vij nga një vend i vogël ishullor, jam besimplotë se Shqipëria, një vend po ashtu i vogël, do të sjellë një këndvështrim unik në çështjet që Këshilli shqyrton. Përvoja e Shqipërisë në zgjidhjen e konflikteve dhe nxitjen e pajtimit do të bëjë të mundur që ajo të luajë rolin e një urëndërtuesi në Këshill.
Si sfidë të ulëses së përkohshme të vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, Edi Rama, veçoi drejtësinë, si garanci të ruajtjes së paqes.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Për ne, sfida është sesi Këshilli mund të ndërhyjë në një mënyrë inteligjente, reflektuese dhe në kohë, për të parandaluar masakrat, për të ndalur konfliktet dhe për të garantuar paqe e siguri të qëndrueshme. Për një organizëm kaq të fuqishëm sa Këshilli, të mos jetë i drejtë nuk mund të jetë alternativë, ndaj duhet të bashkohemi me drejtësinë, pasi nuk do të ketë paqe pa drejtësi. Siguria nuk mund të vendoset e jo më të zgjatë, pa u vendosur drejtësia. Kështu, mendimi ynë është se Këshilli i Sigurimit duhet të kërkojë arritjen e paqes dhe sigurisë, por edhe vendosjen e drejtësisë, llogaridhënies. Përmes llogaridhënies do të mund të shkojmë drejt pajtimit, që çimenton paqen e qëndrueshme. Kjo është edhe detyra për një vend te vogël si Shqipëria.
Vizita tre ditore në Amerikë e kryeministrit, do të mbyllet me takime me administratoren e USAID dhe presidentë të disa universiteteve në Washingon.




