Subscribe

Në të parën vizitë zyrtare të një kryeministri shqiptar në Britaninë Madhe, Edi Rama pritet të takohet me homologun e tij Rishi Sunak. Kryeçështja në bisedën mes dy kryeministrave do të jenë emigrantët e paligjshëm shqiptarë.

 

Marrëveshja e nënshkruar në dhjetor mes Edi Ramës dhe Rishi Sunak parashikon rritjen e investimeve britanike në vendin tonë në këmbim të zbatimit të masave, që çojnë në reduktimin e numrit të lartë të emigrantëve të paligjshëm në Britaninë e Madhe.

 

Ngritja e një task-force të përbashkët me qëllimin parandalimin e migracionit të paligjshëm dhe përfshirjen e shqiptarëve në grupet kriminale është një tjetër angazhim i ndërmarrë mes dy qeverive.

 

Duket se çështjet e dakordësuara do të jenë edhe ato që do të diskutohen mes dy kryeministrave, ku objektivi është bërja e zbatueshme e tyre.  Në një intervistë për Radio 4 të BBC, kryeministri Edi Rama deklaroi se shqiptarët janë një komunitetet i rëndësishëm në Britaninë e Madhe dhe nuk mund t’i identifikosh vetëm si njerëzit e varkave.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Jam këtu të sigurohem që të gjithë ta dëgjojnë qartë dhe fort se shqiptarët nuk lidhen vetëm me varkat. Ashtu si Britania nuk është vetëm XhejmsBond apo Mr. Bean, edhe ne nuk jemi vetëm “Taken”. Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm, drejtojmë automjetet, ndërtojmë, gatuajmë dhe madje edhe këndojmë për ju, kështu që nuk kemi të bëjmë vetëm me barkat, kemi të bëjmë me një çështje komplekse, që lidhet sigurisht me ambicien dhe nevojat e njerëzve në anën tonë të botës që të shkojnë në vende ku e imagjinojnë të ardhmen më shumë në duart e tyre dhe më shpejt.

 

Vizita e kreut të qeverisë i shoqëruar nga dy ministra, ai i brendshëm Bledi Çuçi dhe i financave dhe ekonomisë Delina Ibrahimaj vjen në një çast ku qeveria e Rishi Sunak kërkon përmes një projektligji kthimin brenda një kohe të shkurtër të gjithë emigrantëve të paligjshëm në vendet e origjinës ose ato të treta, si Ruanda. Projektligji që ende nuk ka marrë votën e parlamentit propozon që emigrantët e paligjshëm, që kapen dhe kthehen t’u ndalohet përjetësisht hyrja në Britaninë e Madhe.  Për këtë nismë ligjore, Edi Rama pati këtë koment.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Për fat të keq, kemi parë se neve dhe komunitetit tonë na është drejtuar gishti në këtë vend për qëllime të politikës dhe ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike, por, nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që, bashkë me kryeministrin tuaj, kemi përcaktuar një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çfarëdolloj gjëje që duhet përjashtuar nga marrëdhënia jonë dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, duke u siguruar, në të njëjtën kohë, që disa mollë të kalbura të mos identifikojnë as komunitetin shqiptar këtu dhe as marrëdhëniet tona.

 

Më herët kreu i qeverisë një takim në London School of Economics.

 

\Qëllimi ishte ngritja e një “Task-Force” të përbashkët me vëmendjen te krijimi i një politike të përbashkët për emigrimin dhe të drejtat e punëtorëve. Agjenda e kryeministrit përmban edhe takime me kryetarin e parlamenti, Lindsay Hoyle apo komunitetin shqiptar në Londër.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *