Muri i Lotëve në Jeruzalem ishte ndalesa e parë e Kryeministrit Edi Rama në ditën e tij në dytë të vizitës në Izrael.
Së bashku me bashkëshorten dhe delegacionin, kreu i qeverisë vizitoi vendin e shenjtë ku hebrenjtë luten për paqe në tokën e shenjtë. Aty la dhe një mesazh ku shkroi se “Është gjithmonë një përvojë unike të jesh përpara këtij Muri dhe uroj që Zoti, përmes këtij muri të fuqishëm, t’i dërgojë këtij qyteti forcën e Paqes!”
Më tej, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë kokë më kohë me homologun e tij, Benjamin Netanyahu.
Ky takim u pasua me një deklaratë për shtyp, ku kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria u bashkua me dhimbjen e popullit palestinez ama nuk tregoi kurrë urrejtje ndaj Izraelit.
“Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese”, tha Rama.
Gjithashtu rikujtoi dhe tmerrin e sulmeve të 7 tetorit.
“Megjithatë, pata një ndjenjë lehtësimi moral kundrejt shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke e ditur që kurrë nuk i lamë në baltë, qëndruam krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme, jo vetëm për izraelitët, por prej një kohe shumë të gjatë, edhe për motrat e vëllezërit tanë palestinezë, të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në një infrastrukturë mbrojtjeje prej mishi e gjaku, mish për zjarrin e terrorit”, shtoi Rama.
Krahë tij, kreu i qeverisë izraelite Benjamin Netanyahu, vuri theksin tek marrëdhënia e mirë mes dy vendeve.
“Ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju sprapsin, ju qëndroni krahë së vërtetës, ju qëndruat krahë Izraelit kur u sulmuam nga barbarët, busulla juaj morale nuk u lëkund, dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënjon si një udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe mendoj për ato segmente njerëzimi që duan që e vërteta të mbrohet e të mbrohen vlerat morale që bashkëndajmë”, deklaroi Benjamin Netanjahu.
Më pas, Rama do të pritet me ceremoni të posaçme shtetërore në Kuvendin e Izraelin, të cilit do ti drejtohet me një fjalim historik, sipas protokollit që Kneseti I ka rezervuar një numri të kufizuar lideresh, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump./vizionplus.tv





