Tre vite pasi i vuri drynin, qeveria është gati të hedhë për konsultim publik projektligjin që do të rikthejë bastet sportive, por vetëm ato online. Legalizimi i tyre vjen pasi mbyllja fizike e pikave të basteve nuk e ndali aktivitetin, përkundrazi ai vazhdoi përmes bastvënies online. Për këtë arsye, kryeministri Edi Rama tha që ky biznes që gjeneron të ardhura të mira edhe për vetë shtetin, nuk duhet të funksionojë më në të “zezë”.

 

“Tjetra është që së shpejti do kalojmë në miratim, këto ditë do fusim në agjendë miratimin e basteve online pas konsultës publike. Ne, siç tregon eksperienca nuk kemi mundur ta ndalim, njëjtë si vendet e tjera nuk e kanë bërë. Në vend që të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon paraja e zezë, të jetë një aktivitet ku do futen kompanitë e mëdha ndërkombëtare dhe të ketë garanci për lojtarët. Të gjitha të ardhurat, sipas ligjit do i kalojnë sportit dhe teknologjisë. Në ligj e kemi bërë të qartë që këto para, do jenë të fokusuara vetëm në këtë pjesë dhe nuk do ndryshohet destinacioni. Do kemi një bord kombëtar mbikëqyrës, kreu i KOKSH, ai i FSHF-së etj, do jenë aty për të bërë ndarjen e të ardhurave për sportin dhe kulturën. Fondi është i konsiderueshëm, kjo sipas parashikimeve. Lëvizja sportive nga poshtë, me të gjitha federatat do ketë rritje. Jemi fokusuar te basketbolli dhe volejbolli për meshkuj dhe femra”, tha Rama.

 

Për administrimin e basteve sportive vetëm përmes kompanive që zhvillojnë aktivitetin në internet do të ngrihet një bord kombëtar, ku qeveria do të ketë përfaqësimin e saj.

 

Të ardhurat nga bastvënia online, Edi Rama e përsëriti se do të shkojnë për sportin, mbështetjen e talenteve të rinj dhe artin. Lajmin e rikthimit të shpejtë të këtij aktiviteti, Edi Rama e bëri gjatë nderimit të tetë sportistëve elitarë, Luzia Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri, Zelimkan Abakarov, Eklend Kaçi, Laura Kolturi dhe Gentiana Beqa. Të tetëve iu dorëzuan medaljet e mirënjohjes për rezultatet e arritura në përfaqësimin e Shqipërisë në aktivitetet sportive ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *