Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Albana Vokshi shkruan se qeveria nuk e ka zbatuar kërkesën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të kryer sa më shumë teste për COVID-19.

 

Vokshi theksoi se në javët e fundit, të prekurit me koronavirus janë shtuar ndjeshëm, ndërsa numri i testeve është në rënie.

 

“Organizata Botërore e Shëndetësise (OBSH) përsëriti thirrjen që Qeveritë të testojnë sa më shumë persona të dyshuar. #testoni #gjurmoni #trajtoni #izoloni OBSH thotë se kjo është mënyra e vetme për të ulur trendin e frikshëm të përhapjes së virusit COVID 19 në vende të ndryshme të botës. Fatkeqësisht, qeveria shqiptare nuk po i zbaton kërkesat e OBSH. Cila është situata në Shqipëri? Javën e fundit rastet e të prekurve janë rritur ndjeshëm por jo numri i testeve. E enjte: 32 teste, 5 raste/ E premte: 35 teste, 6 raste/ E shtunë: 46 teste, 6 raste/ E diel: 33 teste, 13 raste/ E hënë: 45 teste, 15 raste/ E martë: 74 teste, 19 raste/ E mërkurë: 111 teste, 23 raste.”

 

Ish-deputetja akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ndjek një taktikë të gabuar. Sipas saj, duke mos i gjurmuar rastet e dyshuara, trajtimi dhe izolimi i virusit bëhet më i vështirë. Mes të tjerash, ajo shtoi se personeli shëndetësor është shumë i pambrojtur përballë virusit.

 

“Edi Rama po ndjek një taktikë të gabuar, duke kontribuar në përhapjen e virusit në një numër më të lartë qytetesh të vendit. Duke mos i testuar, duke mos i gjurmuar rastet e dyshuara, trajtimi dhe izolimi i virusit është bërë më i vështirë. Pjesa më e madhe e personave të infektuar kanë shkuar në spital në gjendje kritike shëndetësore dhe në rrezik për jetën. Ajo që e bën edhe më alarmuese situatën është shtimi i rasteve të personelit mjekësor dhe stafit mbështetës spitalor. Kjo rikthen vëmendjen tek shqetësimi ynë kryesor se personeli shëndetësor është shumë i pambrojtur përballë virusit tinzar dhe agresiv. Në kushtet e rëndimit të situatës, ka ende #një mundësi për të ngadalësuar përhapjen e virusit e për të shpëtuar sa më shumë jetë: Qeveria të zbatojë në mënyrë rigoroze kërkesat e OBSH: #test #trace #treat #Isolate.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *