Kryeministri Edi Rama paralajmëroi kryetarët e bashkive se do të përfundojnë në SPAK, nëse abuzojnë me procedurat e tenderave që jepen nga autoritetet kontraktuale.
Ai deklaroi se procedurat e tenderave me negocim pa shpallje, do të verifikohen dhe do të dërgohen në SPAK.
Më tej, kreu i qeverisë listoi kriteret që do duhet të zbatohen nga kryebashkiakët.
“Tani dua t’iu informoj se do të kalojë nga dënimet me gjobë në denoncimet në SPAK, në çdo rast kur shkeljet përbëjnë dyshim për tender. Le të jetë cilido qoftë prej jush, por jo unë, as PS, që do të shkojë para hetuesve të SPAK apo trupës së Gjykatës Speciale, për të dhënë shpjegime. Problematikat kryesore që kanë nevojë të adresohen dhe duhen adresuar pa asnjë hezitim, pa asnjë tolerancë, nga ana juaj, dhe që do të monitorohen e trajtohen në rast shkelje pa asnjë tolerancë, janë: e para rritja e menjëhershme dhe e qëndrueshme e konkurrencës në procedurat e prokurimit. E dyta, rritja e përgjegjshmërisë dhe integritetit për procedurat, planifikim në kohë, që të shmanget kanceri, në të cilin prej disa vitesh në nivelin e qeverisë qendrore i kemi larë duart, ndërsa në nivelin e qeverisë vendore kanceri vazhdon ha lekë, me negociim, pa procedurë. E treta, çdo përdorim qartazi abuzim, do të konsiderohet i paligjshëm dhe do t’i dërgohet SPAK. E katërta, të gjitha procedurat pa negociim do të shkojnë në SPAK. Të shmanget në mënyrë kategorike hartimi i kritereve, qepja me porosi, në kundërshtim me legjislacionet e fushës, duke kufizuar forcërisht konkurrencën. E pesta, parantezë për të katërtën për këtë e për ato që thash do keni asistencën teknike të Agjencisë së prokurimit, por bashkitë duhet të reagojnë. Mos reagimi fare, sikur këtu gjithë ky ekip shkruan letra të mbyllura në shishe që hidhen në det, ose mosargumentimi për pse është vendosur një kriter i veçantë për të cilin APP ka rekomanduar të hiqe, do të përfshihet në hetim administrative e do të dërgohet për hetim penal në SPAK”, tha kreu i qeverisë.





