Subscribe

Kryeministri Edi Rama nisi sot turin dyditor ballkanik në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet për herë të parë në Tiranë në tetor të këtij viti.

 

Gjatë turit, kreu i qeverisë do të zhvillojë takime me të gjithë liderët e rajonit, ndërsa pret konfirmim vetëm nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

 

Përpara nisjes së vizitave Rama bëri lëvizjen e fundit për të përmbushur kushtin që Albin Kurti i vendosi një ditë më parë.

 

EDI RAMA  

KRYEMINISTER I SHQIPERISE  

 

“Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite.”

 

Nëse ndodh, ky do të jetë takimi i parë i dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës që prej rritjes së tensioneve mes Prishtinës, Beogradit dhe faktorit ndërkombëtar.

 

Ndërkohë, Rama ka mbërritur tashmë në Maqedoninë e veriut ku ka zhvilluar një takim kokë më kokë me homologun Dimitar Kovaçevski për të vijuar më pas bisedimet mes delegacioneve.

 

Pas Shkupit, në orët e pasdites Rama udhëton drejt Prishtinës, me takime të konfirmuara tashmë me presidenten Vjosa osmani dhe kryetarin e kuvendit Glauk Konjufca.

 

Turi i kryeministrit do të vijojë nesër paradite në Bosnje dhe Hercegovinë ku do të takohet me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo për të vijuar në Mal të Zi ku do të pritet nga kryeministri Dritan Abazoviç dhe Presidenti Jakov Milatoviç.

 

Kryeministri do ta përmbyllë turin ballkanik me vizitën në Serbi ku do të takohet me Presidentin Aleksandër Vuçiç.

Edhe me presidentin serb ky do të jetë takimi i parë i kryeministrit Rama që pas ndezjes së tensioneve në veri të Kosovës, por edhe përmbylljes së Ballkanit të Hapur për të cilin Rama deklaroi se e ka kryer misionin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *