“SPAK ka treguar se ka potencialin të përballet me grupet kriminale, përtej forcës që kanë dhe lidhjeve edhe me politikën”, kështu deklaroi nga Shkodra drejtuesi i SPAK Altin Dumani në një takim me studentet mbi luftën kundër korrupsionit.
Ai theksoi se koha do të tregojë realisht efektet e këtij institucioni, që aktualisht ka vetëm 17 prokurorë.
Lexo edhe :
Related Posts
“Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë. Është e lodhshme, por jo e pamundur. Korrupsioni dhe krimi organizuar dy fenomenet më shqetësuese për vendin. Pas 5 viteve SPAK do të ketë dhënë prova që në Shqipëri ka rënë miti i pandëshkueshmërisë. Zyrtarët e lartë dhe të çdo niveli do të merren në përgjegjësi penale dhe do të kemi vendime fajësie ndaj tyre. Jemi duke prioritizuar çështjet, sepse kemi shumë të tilla. Ka shumë çështje që s’janë bërë publike”, tha Dumani.
I pyetur nëse do të thërrasë kryeministrin Edi Rama për çështjen Mcgonical, apo edhe Ilir Metën, Dumani u pwrgjigj:
“Për ne s’ka rëndësi emri, por provat. Edhe për këto dy raste s’kanë rëndësi emri apo pushteti që kanë. Dua të them që ne si strukturë jemi të vëmendshëm edhe ndaj publikimeve në media apo denoncimeve që bën politika për korrupsion etj., që ne i vlerësojmë për të filluar hetime. Shumë media në muajin shkurt 2022 e deri para 10 muajsh, s’kanë lënë kritikë pa bërë për rastin ‘McGonical’. Gjithë kritikët duhet të ndjehen të zhgënjyer, sepse ne e kemi regjistruar si çështje që në shkurt.”, tha Dumani.
Dumani u ndal edhe te integriteti i prokurorëve duke dhënë një mesazh të rëndësishëm lidhur me presionin që vjen nga politika.
“Ne kemi një pavarësi totale nga pushtetet e tjera. Nuk kemi marrëdhënie kontrolluese apo varësie nga pushtetet e tjera. Por pavarësisht infrastrukturës dhe legjislacionit, në fund çdo gjë do të varet tek integriteti ynë. Mund të jesh i pavarur, por mund të zgjedhësh të flirtosh me pushtetin apo politikën. Veç kush ka integritet dhe aftësi profesionale, mund t’i rezistojë joshjes së pushtetit”, shtoi kreu i SPAK.
I pranishëm në takim ishte edhe përfaqësuesi i ambasadës amerikane, David Backman, i cili u ndal te roli i domosdoshëm që SPAK luan në sistemin e drejtësisë.
“SPAK është i mrekullueshëm dhe i duhet shumë një vendi me korrupsion si Shqipëria. SPAK është i rëndësishëm ndaj edhe e shihni çdo ditë në TV teksa i referohen mediat dhe politikanët. SPAK mund të bëjë akoma diçka më shumë dhe jam i sigurt dhe ne e presim këtë. Jua them me siguri se SPAK-un e kanë zili shumë shtete të tjera, që nuk e kanë si strukturë. SPAK duhet ruajtur si xhevahir në Shqipëri”, tha Backman.
Kreu i SPAK e mbylli takimin pa dhenë një deklaratë për mediat, por duke nenvizuar mesazhin se puna e prokurorëve do të flasë vetë./vizionplus.tv