Gjashtë shtetarët e librit “Lidership” të diplomatit botëror Henry Kissinger tashmë vijnë pranë publikut shqiptar me një parathënie të kryeministrit të vendit, Edi Rama.
Në një përurim, që bëri bashkë ish- kryeministrin italian, Massimo D’Alema, ambasadorë, figura të artit e politikës, shefi i ekzekutivit tregoi se ky ishte një privilegj e një përgjegjësi e madhe.
“Ka qenë një nga ushtrimet më të vështira parathënie e këtij libri, në sensin e përgjegjësisë, sepse të fusësh fjalët e tua në një libër që janë fjalët e një njeriu të jashtëzakonshmi, nuk është diçka shumë e lehtë. Përkthimi është goxha i shëndetshëm dhe të jep një lirshmëri në lexim edhe duke e pas lexuar më parë në variantin origjinal, pata çik frikë ta hap se thashë mos ndoshta do binte ajo fuqia e mprehtë e autorit, por përkthimi është goxha i shëndetshëm dhe dua t’i komplimentoj përkthyesit”, tha Rama.
Si një testament i gjashtë udhëheqësve historikë të shekullit XX, mes të cilëve, Konrad Adenauer, Charles de Gaulle, Richard Nixon, Margaret Thatcher, Kissinger shpalos strategjitë e secilit në politikëbërje.
Por për kryeministrin, nëse do të ishte gjallë, vetë Kissinger do të kishte gjetur një propozim për gjeopolikën e ngatërruar të kohërave ku po jetojmë, duke sjellë ndërmend zgjidhjen e raportit Kinë-Tajvan, kur ai ishte Sekretar Amerikan i Shtetit dhe trashëgiminë e tij të patjetërsueshme në këtë domen.





