Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, këtë të hënë ka zhvilluar një takim me banorët e Devollit. Ai prezantoi arritjet përgjatë këtyre tre mandateve, të faktuara përmes shifrave dhe të dhënave në fusha të rëndësishme të zhvillimit të vendit, duke u ndalur në mënyrë më specifike në investimet e realizuara në rrethin e Devollit.
Duke nderuar Dëshmorët e Shqipërisë këtë 5 maj, Rama u bëri thirrje qytetarëve të Devollit që më 11 maj të zgjedhin midis një “grupi rrugeçërish”, duke iu referuar opozitës dhe Bashkimit Evropian.
Rama: Tani, miqtë e mi, se sot është dhe 5 maji dhe dua që të kujtojmë me respekt dhe me përulje të gjithë ata që dhanë jetën për liri, që dhanë jetën për këtë flamur dhe pikërisht në këtë 5 maj përpara këtyre flamujve dua t’i them të gjithë devollitëve që kanë një zgjedhje, për mua, shumë të qartë. Zgjedhja është shumë e qartë, zgjedhja është midis një grupi rrugeçërish ku krye rrugaçi sot është në burg për rrahje, ndërkohë që krye-rrahësi nuk është në burg se është deputet dhe midis të gjithë këtyre deputetëve dhe deputeteve që ne ia ofrojmë edhe Devollit edhe Korçës, midis një kënetë që është një turp kombëtar dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zgjedhja është midis një politikani të mbaruar, të pashpresë dhe shpresës së madhe të Shqipërisë, më në fund, përfundimisht europiane, e lirë dhe e barabartë mes të gjithë popujve të Europës.
Në mesazhin e tij, Rama u drejtua edhe demokratëve, duke i ftuar të “ndërrojnë dorën” dhe të mbështesin integrimin europian të Shqipërisë.
Rama: Zgjedhja është midis kënetës bashkë me bufin për tu kthyer edhe njëherë atje ku të çon bufi, në gropë dhe kësaj pasaportës për këtë gjeneratë këtu që ka lindur me këmishë sepse është gjenerata e parë edhe me celular edhe me pasaportë europiane. Nëse ne të tjerët do të bëjmë gjënë e duhur për ta dhe nëse të gjithë prindërit do të bëjnë gjënë e duhur për fëmijët e tyre sepse do tu japin në dorë një dhuratë që prindërit tanë nuk na e dhanë dot, gjyshërit tanë nuk ia dhanë dot prindërve tanë dhe kështu me historinë për të shkuar deri tek Skënderbeu që bëri profecinë që vendi ynë, vendi i nipërve, vendi i stër-stër nipërve të tij është në Perëndim e jo në Lindje dhe që ne fati na e ka sjellë me një votë të bashkohemi, t’i japim fuqi Shqipërisë t’i mbyllë negociatat dhe ta kapërcejë atë prag dhe kjo gjeneratë. Në 11 maj e dini vetë se çfarë duhet të bëni, por edhe ju demokratët atje, në 11 maj e dini vetë se çfarë duhet të bëni, ndërroni dorën edhe ju. Shqipëria e ka ndërruar dorën, ndërroni dorën more burrë. Shqipëria e ka ndërruar dorën kaq shumë vite, ndërroni dorën, gjithë ata burra mbrapa Duçes./vizionplus.tv





