Subscribe

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi ndërhyrjen në Kongresin e  Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë, për te kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian, ndaj vendeve kandidate për anëtarësim si Shqipëria.

 

Lideri i mazhorancës Rama risolli në vëmendje sjelljen e BE gjatë pandemisë së koronavirusit, kur vendet e Ballkanit perëndimor u lanë jashtë planit për shpërndarjen e vaksinave dhe Tirana zyrtare u detyrua te kërkonte ndihmën e vendeve si Turqia, Kina e Rusia, për ndikimin e të cilave në Ballkan , Brukseli është i shqetësuar.

 

Nga Berlini, kryeministri Rama bëri apel, që e njëjta sjellje të mos përsëritet tashmë që të gjitha vendet përballen me krizën e energjisë elektrike.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Ne jemi besoj, i vetmi vend në Europë që është 100% i gjelbër kur vjen fjala për prodhimin e energjisë. Në të njëjtën kohë jemi plotësisht të mbështetur në burimet ujore kështu që, kur Zoti nuk derdh lot mjaftueshëm, na duhet që të mbështetemi tek importet.

Nuk është mjaftueshëm që të bëjmë deklarata dhe t’u themi apo të përgëzojmë njerëzit kur sillen në mëmyrën e duhur, por duhet edhe të pyesim veten se sa po mundohen këta njerëz që të sillen në mënyrën e duhur, që të mos i lëmë që të shohin tjetërkund.”

 

Kryeministri Rama apeloi për solidaritet e ndihmë nga Bashkimi Evropian edhe në raport me sulmet kibernetike të sponsorizuara nga Irani, me të cilat Shqipëria u përball para pak javësh.

 

“Edhe pse sulmi nuk ia doli të fshinte të dhënat, ne ia dolëm që të rikthenim sistemet në punë, megjithatë, e dini? Morëm disa deklarata solidariteti ç’ka është gjë e mirë, por deri tani nuk po shohim më shumë se sa kaq dhe nuk dua që ta kthej në histori financimesh, por ka të bëjë edhe me financimet.”

 

Rama nuk kurseu kritikat edhe ndaj Britanisë së Madhe dhe problemit të azil kërkuesve.

 

 

“Dua të ndaj këtu edhe anën tjetër të historisë që ka të bëjë me njerëzit që kërkojnë azil, të rinjtë që kërkojnë azil së fundmi në Britani. Qeveria britanike na thotë; ‘’Duhet t’i ndaloni’’. Po si mund të jetë puna e qeverisë së Shqipërisë që të verë rregull në kanal atje? Nuk e di.”

 

Sipas kryeministrit Rama, Europa ka më shumë nevojë për veprime solidariteti përtej deklaratave dhe objektivave të përbashkëta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *