Disa ditë para nisjes së punës së Komisioneve Parlamentare, Kryeministri Edi Rama dha edhe porositë paraprake për grupin socialist.
Kryeparlamentari Niko Peleshi, kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve si dhe kreu i Grupit Parlamentar u mblodhën në një takim në Vilën qeveritare 30 ku u njohën me prioritetet për punën gjatë legjislaturës së XI-të
Në takimin që zgjati një orë e 30 minuta, mësohet se kreu i qeverisë nuk kishte porosi të veçanta mbi ligje specifike që duhen miratuar, megjithatë burime e cilësuan si një takim rutinë që zhvillohet mbi koordinimin e punës mes Grupit Parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë dhe Qeverisë.
Tashmë mazhoranca do të ketë nën drejtim 7 nga 11 Komisione, ku pjesa tjetër i mbetet opozitës.
Por, Komisionet do të nisin punën me volum, ku mbeten ende një sërë çështjes që do të diskutohen në parlament.
Raportimi i institucioneve, punë kjo e mbetur që prej Legjislaturës së kaluar pritet që të nisë menjëherë, ndërsa do të jetë përbërja e re parlamentare që do t’i shqyrtojë kërkesat e tyre.
Një tjetër çështje e mbetur pezull ende është zgjedhja e avokatit të ri të popullit, post që Erinda Ballanca tashmë e mban prej rreth tri vitesh, por mosdakordësia mes palëve politike ka sjellë boshllëk.
Reforma zgjedhore dhe ajo territorale gjithashtu do të nisin diskutimet së shpejti, teksa mazhoranca nuk ka humbur kohë për të emëruar dhe drejtuesit Damian Gjiknuri dhe Arbjan Maznikun.
Dilemë mbetet ndryshimi i Kushtetutës, të paralajmëruar nga Kryeministri Edi Rama gjatë asamblesë së Partisë Socialiste të 11 shtatorit, por qe nuk ka një plan konkret.





