Një ditë pas shkarkimeve dhe emërimeve të reja në qeveri Kryeministri Edi Rama mblodhi anëtarët e kabinetit të tij për vetëm 30 minuta, ndërsa pjesë e saj nuk kishin dy ministrat e shkarkuar edhe pse janë në detyrë deri në betimin e pasardhësve përpara Presidentit të Republikës.
Munguan ministrja e Jashtme Elisa Spiropali dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, dy emra që me emërimet e reja nuk do të jenë më pjesë e kabinetit “RAMA 4”.
Tashmë, ndryshimet e bëra në qeveri, kryeministri Edi Rama do të duhet t’ia dërgojë Presidentit Begaj, i cili sipas Kushtetutës ka një afat prej 7 ditësh për të dekretuar lirimet dhe emërimet e reja. Pas dekretit nga kreu i shtetit, ministrat e rinj do të votohen në Parlament dhe me dritën jeshile të 140 deputetëve i mbetet betimi në Presidencë ku dhe më pas marrin zyrtarisht detyrën.
Ditën e enjte, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i qeverisë bëri 7 ndryshime në kabinet. Zëvëndëskryeministrja e re do të jetë Albana Koçiu, ndërsa vendin e saj si Ministër i Brendshëm e zë Besfort Lamallari.
Postin e Lamallarit si Ministër i Drejtësisë do të marrë Tongi Gogu, ndërsa vendin e tij si Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin e zë Eriona Ismaili.
Sa i përket Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në krye të saj do të jetë Enea Karakaçi, ndërsa Ministra e Mbrojtjes i është besuar Ermal Nufit. Ky vendim i Ramës lë jashtë qeverisë Pirro Vengun, ndërsa gjithashtu ikën dhe Elisa Spiropali pasi kryediplomati i ri do të jetë Ferit Hoxha./vizionplus.tv





