Kryeministri Edi Rama ka nisur një seri takimesh në vilën qeveritare 30 me ministrat e kabinetit qeveritar.
Këtë të martë për dy orë ai thërriti përfaqësues nga ministria e Brendshme dhe e Drejtësisë si dhe krerët e institucioneve të varësisë.
Fokusi i mbledhjes ishte analiza e brendshme dhe puna e bërë në çdo dikaster si dhe fokusi për çështje të ardhshme.
Së pari raportoi ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili shoqërohej nga tre zëvëndësministrat e tij Silva Caka, Anisa Ruseti dhe Xhemal Qefalia, ndërsa të pranishëm ishin drejtori i komanduar i policisë së shtetit Sokol Bizhga si dhe ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
Prezenca e këtij të fundit, vjen pasi kryeministri Edi Rama më herët i ka deleguar që të çojë përpara çështjen e adresave.
Burime bëjnë me dije, se ky takim pason atë të ministrisë së Infrasktrukturës një javë më parë, ndërsa raportimi i ministrit të Brendshëm, nuk ka pasur lidhje me zgjedhjen e kreut të Policisë së Shtetit.
Pas ministrisë së Brendshme, raportoi dhe ministria e Drejtësisë. Ishte ministri Toni Gogu i cili dha të dhënat në Vilën qeveritare 30.
Bëhet me dije se Rama ka zgjedhur të mbledhë çdo javë një nga një ministrat duke shmangur një retreat të të gjitha ministrive, të cila zhvillohen çdo 6 muaj.
Këto takime do të vijojnë edhe të mërkurën, teksa pritet një analizë e ministrisë së Ekonomisë.





