Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se kriza për shkak të koronavirusit mund të përkeqësohet nëse shifrat kapërcejnë.
Gjatë një interviste për gazetën spanjolle “El Periodico”, Rama tha se ky është momenti që të gjitha shtetet e Evropës të veprojnë së bashku.
“Ajo që ndodhi në fillim ishte një shembull i qartë i shkallës në të cilën Europa është e copëtuar dhe i mungesës së aftësisë për të vepruar së bashku përballë sfidave të shumta të përbashkëta. Kjo krizë ende mund të përkeqësohet dhe ne ende nuk kemi arritur një mirëkuptim të përbashkët. Shpresoj se kjo është arsyeja e mjaftueshme që ne të fillojmë të mendojmë ndryshe. Mund të flasim për vende të pasura dhe të varfëra, por ka të bëjë më shumë me kuptimin e rëndësisë së të vepruarit së bashku. Në Europë ka shtete më të pasura se të tjerat, por edhe këto janë shumë të vogla në tryezën globale.”
Kreu i qeverisë u shpreh i kënaqur me menaxhimin që Shqipëria i ka bërë deri tani krizës. Ai foli edhe për ndërhyrjet që u bënë në Kodin Penal për pandeminë.
“Ne ishim ndër të parët që dekretuam kufizimet në masë, ishim të vetëdijshëm për dobësitë tona dhe nuk besonim se nuk do të ndodhte edhe me ne. Ne ishim një nga vendet e pakta pa legjislacion në kohë pandemie. Kështu që kemi futur dy paragrafë të rinj në kodin tonë. Asgjë e jashtëzakonshme. Dhe tani jemi në një situatë mjaft të mirë: nuk kemi askënd që ka nevojë për intubim, janë të zënë më pak se 30% të shtretërve spitalorë dhe numri i të vdekurve është shumë i ulët.”
Në përgjigje të deklaratave të presidentit Ilir Meta se Shqipëria rrezikon të kthehet në diktaturë si në Korenë e Veriut, Rama e mohoi diçka të tillë.
“Ne jemi një demokraci e re, adoleshente dhe kemi një mënyrë shumë të pasionuar, ndonjëherë ekstreme, bardhë e zi, mënyra urrejtjeje ose dashurie për të diskutuar. Ne jemi akoma në procesin e maturimit, sepse me shekuj nuk kemi pasur as institucione demokratike dhe as rregulla. Thënë kjo, nëse do të ishim vërtet Koreja e Veriut, ne nuk do të ishim duke folur bashkë. Ne ishim Koreja e Veriut gjatë epokës së komunizmit dhe askush nuk e dëshiron më atë.”