Në konferencën botërore për klimën, Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me kriticizëm liderve të vendeve që kryesojnë listën e ndotësve më të mëdhenj.
Shefi i ekzekutivit u shpreh se vendet si Shqipëria duhet të mbështeten në këtë drejtim sepse ndryshe nga të “mëdhenjtë”, po bëjnë gjënë e duhur.
EDI RAMA
KRYEMINSITER
“Ndoshta jam më i gjati këtu, por vij nga një prej vendeve më të vogla, Shqipëria. Në mbledhje të tilla ne na thonë se çfarë të bëjmë, të dëgjojmë e të mbajmë shënim. Dhe unë këtë bëra, por ende nuk mora përgjigje për pyetjen që kisha para se të vija këtu. Si kanë ndërmend të na ndihmojnë ndotësit e mëdhenj neve, një vend jo ndotës. Po, po, një vend jo ndotës. Prodhimi ynë i energjisë bazohet 100% në energji hidrike, 100% të rinovueshme.”
Duke u treguar më i drejtpërdrejtë, Rama kërkoi ndihmë për të përballuar krizën energjitike por jo hua.
“Mund t’i kishim pranuar të gjitha ofertat për termocentrale për të kompensuar nevojat në muajt e thatësirës. Kështu që vendi im pyet, mos po paguajmë për shkak se po bëjmë gjënë e duhur? Besoj se do të marrim financime për të luftuar këtë ngërç. Këto financime nuk duhet të vijnë në formën e huave, që do të na fusin në një spirale borxhesh, por në formën e granteve, që do të na fuqizojnë për të investuar.”
Në konferencë, Kryeministri Rama është takuar edhe me aktorin e njohur te Hollivudit, Leonardo Di Kaprio, duke e konsideruar si një nga mbështetësit për mbrojtjen e kauzës së lumit “Vjosa”.
Ndërkohë aktivistë për klimën të maskuar si udhëheqës botërorë u mblodhën në Glasgou në afërsi të vendit ku po zhvillohet samiti për klimën i Kombeve të Bashkuara. Ata thonë se vendet e pasura që shkaktojnë ndotje nuk po bëjnë mjaftueshëm për uljen e nivelit të gazit karbonik që shkakton efektin serrë.