Kryeministri Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët me homologun holandez Mark Rutte.

 

Gjatë fjalës së tij në konferencë Rama vlerësoi angazhimin e Holandës dhe kryeministrit holandez, Mark Rutte për shtyrjen përpara të procesit të integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.

 

“I jam mirënjohës Markut për përpjekjet e tij serioze e bujare për të shtyrë Ballkanin Perëndimor drejt Evropës dhe për të nxitur më tej Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë qe ne i kemi bërë detyrat tona, në njëfarë mënyre Marku më mësoi që mund ta dashurosh Evropën, por duhet të përgatitesh që është një dashuri e ashpër”, tha kryeministri Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun holandez, Mark Rutte.

 

Rama komentoi edhe qëndrimin e rreptë të mbajtur nga Holanda për disa vite më parë sa i takon procesit të hapjes së negociatave.

 

“Sa i takon bashkëpunimit dypalësh shpreh mirënjohjen e vërtetë, jo formale, për qeverinë holandeze, për kombinimin e qëndrimit të tyre të rreptë, që në fakt ishte nervozues për njëfarë kohe deri sa e kuptuam për çfarë ishte. Me mbështetjen e tyre reale në terren përmes një programi të quajtur “Matra”, i cili ka bërë ndryshimin në çuarjen para të reformës sonë në drejtësi, që praktikisht ka forcuar po kështu marrëdhëniet tona, sepse në fund të fundit kuptuam se Holanda ishte serioze lidhur me kriticizmin e saj. Por edhe Holanda e kuptoi se ne ishim seriozë në përmbushjen e detyrimeve tona”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri Rama u ndal edhe te bashkëpunimi ekonomik dypalësh. Sipas tij, Holanda tashmë renditet mes investuesve më të mëdhenj në Shqipëri.

 

“Kemi kompaninë “Shell” dhe shpresojmë e presim një lajm të mirë në fillim të vitit që vjen falë një eksplorimi që “Shell” po bën në vendin tonë. Nëse do të jetë kështu, atëherë do të kemi për të festuar jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin në këto kohë të vështira për energjinë”, u shpreh Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *