Ekipi i përbashkët mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe ka qenë çelësi i suksesit për të ndaluar trafikun e emigrantëve që tentojnë të kalojnë kufijtë me gomone. Në një intervistë për BBC, Kryeministri Edi Rama shpjegoi se shkëmbimi i informacioneve në kohë reale mes dy vendeve ishte zgjidhja e duhur për të ulur ndjeshëm emigrimin e paligjshëm.
“Për një kohë të gjatë, informacioni zvarritej nëpër kanale të ndryshme, kështu që shpejtësia e reagimit ishte krejtësisht e papranueshme. Agjencitë kishin shumë keqkomunikim, prandaj gjithmonë kam thënë: dëgjoni, nëse duam sukses në këtë, duhet të përgjigjemi njëlloj. Duhet të jemi po aq të shpejtë sa ata, dmth trafikantët. Prandaj dhe ju thashë, sillni disa nga njerëzit tuaj në Shqipëri dhe ne nisim punën, dhe ne sjellim disa nga njerëzit tanë në Britani dhe nisim punën, dhe kjo është ajo që bëmë.”
Gjatë intervistës, kreu i qeverisë shpjegoi dhe arsyen e refuzimit për ngritjen e kampeve të refugjatëve për Britaninë e Madhe. Madje theksoi se kampet në vende të tjera nuk janë zgjidhja e vetme.
“Me Italinë ishte një marrëveshje unike, kjo ndodhi për shkak të marrëdhënies sonë shumë të veçantë. Në rastin e Shqipërisë dhe Italisë, ka kuptim sepse është vetëm një det që ndan dy vendet tona. Por të marrësh njerëz në tokë, t’i futësh në një avion, t’i sjellësh diku mijëra kilometra larg, mund të ketë një efekt parandalues, por nuk do ta ndalojë emigracionin. Sepse në fund të ditës, ka një pyetje që Europa në përgjithësi, por edhe Britania në këtë rast, duhet t’i përgjigjet. A është imigracioni një problem apo është pjesë e zgjidhjes?”
Nga vendet e rajonit, vetëm Kosova është shprehur e gatshme të ngrejë qendra kthimi për emigrantët e Britanisë.
/vizionplus.tv





