Inteligjenca artificiale i ka dhënë Shqipërisë një ndihmesë të madhe sa i përket procesit të integrimit.
Në Samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrushëm të mbajtur në Abu Dhabi, Kryeministri Edi Rama u shpreh se vendit tonë do t’i ishte dashur më tepër kohë nëse procesi do të bëhej pa ndihmën e teknologjisë.
Lexo edhe :
Related Posts
“Ndërkohë me inteligjencën artificiale ne po e përdorim pra atë për të gjithë procesin e transferimit të legjislacionit të BE në korpusin tonë ligjor sepse është në fakt po themi një pushtim në thonjëza sepse që të hysh në BE të duhet të miratosh çdo ligj, çdo rregullore në të njëjtën mënyrë.Për të gjitha vendet ky ka qenë një volum i jashtëzakonshëm pune, me përkthyes, me juristë, me hartues, me korrektor ndërkohë që me inteligjencën artificiale ne po e bëjmë këtë gjë shumë shpejt, në mënyrë shumë të saktë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal dhe tek implementimi i inteligjencës artificiale në prokurimet publike, duke theksuar se çdo gjë do të digjitalizohet së shpejti.
“Diella punon për shërbimet dhe po punon për transferimin e korpusit ligjor të BE dhe po punon për diçka që ne besojmë do të jetë diçka e fjalës së fundit që është prokurimi publik me inteligjencë artificiale, për t’i hequr njerëzit nga procesi dhe për të bërë që prokurimi të kryhet nga inteligjenca artificiale. Deri më tani kemi ecur mirë”, tha Rama.
Një tjetër objektiv sipas Ramës është edhe pavarësia energjitike e vendit. Ai rikujtoi projektin rreth 1 miliard euro me Emiratet e Bashkuara dhe Italinë për ndërtimin e një linje interkonjuksioni nënujore që do të mundësojë dhe eksportin e energjisë së prodhuar nga Shqipëria në vendet europiane.
“Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë të kemi një bashkëpunim tripalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri, Dr. Sultan, Zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në tre giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër dhe së bashku me miqtë tanë arabë, të bëjmë para’ për t’ia shitur pra Evropës”, tha shefi i qeverisë.
Të hënën, qeveria prezantoi projektin e Parkut Eolik në Tropojë, i cili do të shërbejë për prodhimin e energjisë me anë të erës.






