Kryeministri Edi Rama është ndalur në shkollën “Halit Coka” në Kamëz ditën e sotme ku ka bashkëbiseduar me prindërit për gjetjen e një zgjidhjeje që fëmijët të kenë sa më pak kontakt me telefonin dhe rrjetet sociale.
Duke u ndalur te krimet e ndodhura në vend kohët e fundit Rama tha se Shqipëria futet te vendet e sigurta.
Sipas tij rastet kur vriten të pafajshëm janë shumë të rralla.
Sa i përket larjeve të hesapeve mes bandave Rama ritheksoi edhe njëherë se: “ata kokat e njëri-tjetrit të hanë”.
“Shqipëria nuk e ka një problem sigurie. Problemi i sigurisë po bëhet serioz në kryeqytetet e vendeve të mëdha, në pikë që pjesën më të madhe të qytetit burrat dhe gratë nëse lëvizin i lënë orët dhe çantat në hotel ose në shtëpi, se nuk është e sigurt që kthehen me orët ose çantën. Në Shqipëri patjetër që ka vrasjen por ama ne sot kemi një numër mestar vjetor të vrasjeve që shkon drejt mesatares së vende të tjera. Sot kur ndodh një vrasje, jashtë atyre vrasjeve që bëhen mes këtyre që lajnë hesapet me njëri-tjetrin që për ata kam thënë dhe e them kokat të hanë, dhe nuk….Po them për vrasje të njerëzve të pafajshëm të cilat janë shumë të rralla, dhe ky është fakt, janë tronditëse por merren dhe rrotullohen me ditë të tëra për të nxitur sa më shumë ndjenjën e pasigurisë. Por këtu nuk ka pasiguri”, tha Rama. /Vizionplus.tv/





