Kryeministri Edi Rama inspektoi këtë të shtunë repartin e operacioneve speciale në Zall Herr, së bashku me ministrin e mbrojtjes Pirro Vengu, duke thënë se qeveria shqiptare ka fokusuar vëmendjen në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe modernizimin e ushtrisë.
“Ne do të jemi një vend eksportues i prodhimeve ushtarake brenda kësaj dekade, ky është qëllimi, dhe jemi në rrugën e realizimit, duke parë se si po ecin edhe diskutimet me kompani të mëdha të ekselencës botërore që kanë shprehur gatishmërinë të na bashkohen në këtë aventurë të re”, tha Rama.
Rama deklaroi se Shqipëria tashmë ka ushtrinë më të mirëpaguar në rajon.
“Sot ne kemi ushtrinë më të paguar të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Praktikisht, jemi sot në një pagë mesatare prej 1550 eurosh, që më lejoni t’ju garantoj nuk është stacioni ynë i fundit, por është vetëm një nga stacionet për të shkuar drejt objektivit që e kemi ndarë me ju në krye të herës dhe kemi mirëkuptuar mosbesimin tuaj total, kur ju kam thënë që ne do të arrijmë të kemi një ushtri shqiptare të paguar në mesataren e forcave të armatosura të NATO-s”, shtoi kryeministri.
Në fund, Rama përmendi edhe çështjen e pronave të ushtrisë, për të cilat theksoi se ende janë kaotike.
“Për një kohë të gjatë, shumë të gjatë, ushtria shqiptare është zhveshur nga shumë prona në mënyrë spontane, në mënyrë kaotike, në mënyrë shpeshherë të pakuptueshme, ndërkohë që sot e gjithë ditën, ushtria shqiptare disponon shumë asete të fjetura të cilat janë aty për inerci, por që nuk përdoren dhe as nuk vihen në punë, as nuk lëshohen, një situatë që ne duhet ta adresojmë me të njëjtën filozofi”, përfundoi ai.
Gjatë vizitës, e cila përkon me 16-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe 76-vjetorin e krijimit të Aleancës, Kryeministri ndoqi edhe një demonstrim nga Regjimenti i Operacioneve Speciale, të cilët stërviten me forcat amerikane, që ndodhen aty çdo ditë, që prej 1 viti.
/vizionplus.tv





