SPAK ishte kryefjala e komunikimit të kryeministrit Edi Rama në rubrikën online “Sy m Sy”. Kreu i qeverisë tha se nëse PS do të donte të shkrinte Prokurorinë e Posaçme, Sali Berisha do të binte dakord menjëherë.
Rama: Me një fishkëllimë dhe e dini se si do vinte ai bufi, me një fishkëllimë e do vinte sepse ka tmerrin me SPAK, me të kaluarën që nuk e ndryshon dot, e kaluara që është aty, e persekuton çdo natë, me tmerrin e të kaluarës dhe do vinte menjëherë. Por ka ndryshuar filozofia e SHBA e keni parë, është punë e saj, punë e filozofisë së saj, ne nuk kemi çfarë themi. Por SPAK është me vullnetin e PS, me dëshirën e popullit shqiptar, SPAK është aty për të fuqizuar veten, kjo është dëshira e popullit shqiptar, ne jemi për ta mbështetur. Sot kemi provën e pavarësisë së SPAK, ju e dini mirë se çfarë them, por ama kjo nuk mjafton, pasi duhet profesionalizmi dhe integriteti.
Rama kërkoi që pavarësia e SPAK të jetë në shërbim të drejtësisë
Rama: Një pikë që është realisht problematike kur vjen puna te aktiviteti i SPAK-ut që ka të bëjë me respektin dhe respektin për tjetrin, me respektin për prezumimin e pafajësisë, me respektin për këdo qoftë që bëhet pjesë e një procesi hetimi qoftë edhe që pyetet si një person që mund të dijë diçka, sepse cilido qoftë është i barabartë me këdo qoftë aty te stacioni i trenit dhe kushdo qoftë aty te stacioni i trenit që merr dikë në pyetje, cilin do qoftë duhet ta ketë mirë parasysh se duhet ta respektojë dhe këtu do të kemi një problem të madh ne, do të kemi një problem shumë të madh, te mungesa e respektit dhe tek mungesa e vlerësimit bazik të të drejtës dhe lirisë kushtetuese të gjithsecilit
Duke u ndalur te procesi zgjedhor, kreu i qeveris mori në mbrojtje patronazhistët.
Rama: Patronazhistët janë një armatë njerëzish që janë armatë njerëzish serioze të PS. Jo pseudoparti, jo kua kua kua, jo parti që i thonë vetes të reja që i thonë vetes të reja, që janë parti si dyqanet me vitrinë, por brenda s’kanë asgjë se janë me qira.
Kryetari i Partisë Socialiste u kërkoi qytetarëve shqiptare t’i japin votën më 11 maj, duke i dhënë një mesazh edhe kundërshtarëve./vizionplus.tv





