Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi, duke forcuar kështu pasaportën shqiptare në botë, njofton ministri për Evropën e Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Hasani thotë se në Këshillin e Ministrave, sot u miratua hapja e ambasadave në këto 3 shtete.

“Kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë. Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja. Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 7 misione të përhershme”, shkruan Hasani në Facebook.

/vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *