Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbështetur marrjen e ishullit të Sazanit nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.
Gjatë një komunikimi online me qytetarët, Berisha deklaroi se aplikimi i dhëndrit të presidentit Trump për marrjen e statusit të investitorit strategjik është në përputhje me ligjin, por nga ana tjetër ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e përdor ishullin e Sazanit për të siguruar mbështetje në Uashington.
“Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike. Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit. Pavarësisht, theksoj dhe njëherë, se Edi Rama e ka përdorur atë për qëllime politike, por kjo është në tagrin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e tyre për këtë përdorim”, tha Berisha.
Berisha gjatë bashkëbisedimit në rrjetet sociale premtoi luftë kundër korrupsionit duke deklaruar se do të jepen shpërblime për çdo qytetar që denoncon çdo pasuri të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
“E morët vesh ju, që kryetari i bashkisë në Sky Tower mbante apartament të paregjistruar, të padeklaruar. Por sa mund të ketë të tilla ai. Do të krijohen ekipe, do të jepen shpërblime për çdo informacion të saktë për pronat e këtyre qeveritarëve”, tha Berisha.
Kryetari i PD Berisha premtoi se krahas luftës kundër korrupsionit opozita nëse fiton zgjedhjet do të miratojë edhe një paketë emergjence për të ndihmuar shtresat më të varfra të shoqërisë duke vendosur minimumin jetik prej 200 eurosh në muaj./vizionplus.tv